Avokati i Popullit është gati të shpallë nisjen e procesit të vettingut, sipas ligjit, që synon një pastrim të plotë të sistemit të drejtësisë nga personat, që kanë abuzuar me postin.
Your browser doesn’t support HTML5
Pasi këtë procedurë nuk mundi ta kryente Presidenti i Republikës për shkak të afateve kushtetuese të tejkaluara, atëherë është Avokati i Popullit zyrtari, që do të shpallë dhe zbatojë përzgjedhjen e kandidatëve për komisionet e vettingut në fazën e parë.
Hapi i parë i kësaj procedure, që nis së shpejti, është kërkesa publike për të sjellë kandidatura për të ngritur organet kryesore, që do të kryejnë vettingun.
Me kandidaturat hartohen dy lista; njëra me emrat që plotësojnë kriteret dhe tjetra me ata që nuk i plotësojnë sa duhet ato, dhe të dyja shqyrtohen nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.
Pas sugjerimeve të tyre, Avokati i Popullit ia dërgon parlamentit kandidaturat për votim.
Prej disa kohësh një grup pune është ngritur pranë institucionit të Avokatit të Popullit, i cili po punon me transparencë për të nisur zbatimin e ligjit të Vettingut dhe të ligjit për qeverisjen e gjyqësorit, ku përfshihen ngritja dhe funksionimi i këshillit të lartë të gjyqësorit (KLGJ), këshillit të lartë të prokurorisë (KLP) dhe këshillit të emërimeve në drejtësi (KED).
Kjo shpallje shënon nisjen e zbatimit të një reforme të thellë, me rindërtim institucionesh dhe me përzgjedhje të njerëzve më të pastër e më me integritet në sistemin gjyqësor.
Zyrtarët dhe ekspertët besojnë se celësi i suksesit të kësaj reforme në drejtësi do të jetë bashkëpunimi mes institucioneve për të zgjedhur profesionistë të pavarur nga politika, dhe mospërfshirja e personave dhe ndikimeve politike.
Sipas zotit Totozani, nisja e këtij procesi është një mundësi e mirë për t'u përfshirë në sistemin gjyqësor shqiptar edhe të shumë djem e vajzave të reja, që studjojnë për drejtësi jashtë Shqipërisë, të cilët mund të punësohen në vendet e lira, që do të sjellë vettingu, në përputhje me kriteret ligjore.