Presidenti Trump vlerëson Prokurorin e Përgjithshëm për ndërhyrjen në favor të të besuarit të tij

Presidenti i SHBA Donald Trump vlerësoi të mërkurën kreun e Departamentit të Drejtësisë, William Barr, që ndërhyri në çështjen e korrupsionit politik të njeriut të besuar të Presidentit, Roger Stone, duke kërkuar një dënim më të vogël për të, edhe pse prokurorët e karrierës që ndiqnin çështjen kishin rekomanduar një afat burgimi deri në nëntë vjet.

"Urime Prokurorit të Përgjithshëm Bill Barr që mori përsipër një çështje e cila ishte totalisht jashtë kontrollit dhe mbase nuk duhej të ishte ngritur fare", shkruante Presidenti Trump në Twitter.

Çështja Roger Stone lidhej me hetimin e gjatë të zgjedhjeve të vitit 2016 të fituara nga zoti Trump.

Katër prokurorë karriere të qeverisë - të cilët dhanë dorëheqjen nga çështja pas ndërhyrjes së zotit Barr - kishin rekomanduar që 67-vjeçari Stone, të dënohej me shtatë deri në nëntë vjet burgim. Ai u shpall fajtor në muajin nëntor për shtatë akuza, duke përfshirë mashtrim ndaj Kongresit, manipulim me dëshmitarët dhe pengim të Kongresit në hetimet e ish prokurorit të posaçëm Robert Mueller për ndërhyrjen ruse në zgjedhjet e 2016-s.

Pasi prokurorët e karrierës, të cilët janë pjesë e Departamentit të Drejtësisë të kryesuar nga zoti Barr, bënë rekomandimin e tyre për dënimin, zyrtarët e lartë të Drejtësisë thanë se ishin të tronditur nga afati i gjatë i burgimit i sugjeruar për zotin Stone, i cili e pret vendimin javën tjetër.

Në Uashingtonin e ngarkuar politikisht, rekomandimi për një dënim më të shkurtër menjëherë ngriti pikëpyetje të reja në lidhje me ndikimin e Presidentit Trump mbi Departamentin e Drejtësisë, i cili ka për detyrë të veprojë në mënyrë të pavarur dhe pa favore politike në hetime dhe çështjet penale.