Tunizi: Gjendje e tensionuar pas largimit të presidentit Ben Ali

  • Zëri Amerikës

Tunizi: Gjendje e tensionuar pas largimit të presidentit Ben Ali

Gjendja në Tunizi është e tensionuar, pas largimit për në Arabinë Saudite të presidentit Zine El Abidine Ben Ali. Sot, një ditë pasi demonstratat masive e detyruan presidentin të largohej nga pushteti dhe nga vendi, rrugët e kryeqytetit u patrulluan nga policia dhe tanket e ushtrisë dhe pati njoftime për të shtëna me armë në kryeqytetin Tuniz.

Sipas Agjencisë Associated Press, forcat e sigurisë shkëmbyen zjarr me sulmuesit para Ministrisë së Brendshme në qendër të Tunizit. Kryetari i Parlamentit Fued Mebezza bëri sot betimin si president i përkohshëm. Ai tha se i kishte kërkuar Kryeministrit Mohammed Ganuchi të formonte një qeveri uniteti.

Zoti Ben Ali ishte Presidenti i Tunizisë për 23 vjet me radhë. Ai u largua nga vendi pas protestave masive për shkak të papunësisë së madhe dhe çmimeve të lartë të artikujve ushqimorë. Në këto trazira gjeten vdekjen të paktën 42 vetë.