Mijëra refugjatë sirianë në kufirin turk

I

Derisa Turqia thotë se janë plotësuar "mundësitë e saj të pranimit të refugjatëve", punonjësit turq të ndihmave po u shpërndajnë tenda dhe furnizime refugjatëve sirianë të mbledhur në kufirin ndërmjet të dyja vendeve.

Zëvendëskryeministri turk, Numan Kurtulmus, i tha televizionit CNN-Turk të dielën se Turqia ka pranuar tashmë 3 milion refugjatë, pjesa më e madhe e tyre sirianë.

"Por në fund të fundit, këta njerëz nuk kanë ku të shkojnë. Ose do të vdesin nën bomba dhe Turqia do të sodis masakrën si pjesa tjetër e botës, ose do të hapim kufijtë", tha Kurtulmaus.

Turqia ka mbyllur vendkalimin kufitar Oncupinar, përballë atij sirian Bab al-Samam, ku mijëra veta u mblodhën të dielën për të tretën ditë duke pritur hapjen e kufirit. Zyrtarët turq thonë se deri në 35 mijë sirianë janë duke pritur në kufi. Sirianët po ikin nga një ofensivë e qeverisë siriane të mbështetur nga Rusia në qytetin sirian të Aleppos.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha që "nëse është e domosdoshme, do të lejojmë vëllezërit tanë të hyjnë". Nuk ishte e qartë, ndërkaq se çfarë duhet të ndodhë para se të hapet vendkalimi.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, vendi i së cilës pranoi vitin e fundit me shumë se një milion refugjatë, do të bisedojë të hënën në Ankara me presidentin Erdogan dhe kryeministrin Davutoglu.

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Turqisë që të hapë kufirin e saj me Sirinë. BE-ja i ka zotuar 3.3 miliardë dollarë mbështetje për Turqinë që të strehojë refugjatët dhe të zvogëlojë numrin e refugjatëve që kërkojnë strehim në Evropë.