Turqi: Protestat zhvendosen në parqe

Protestuesit anti-qeveritarë po e vazhdojnë fushatën e tyre në parqet lokale. Çdo natë, qindra-mijëra vetë marrin pjesë në të ashtuquajturat “forume në park” për të diskutuar për politikë dhe për të ardhmen e vendit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones njofton nga Stambolli.

Çdo natë në parqet publike anembanë Stambollit, qindra madje edhe mijëra protestues anti-qeveritarë mblidhen për ato që ata i quajnë “forumet në park”. Forumet u krijuan pasi forcat e sigurisë i dëbuan protestuesit nga Parku Gezi i Stambollit muajin e kaluar.

Planet e qeverisë për ndërtimet në park sollën si rezultat javë demonstratash anti-qeveritare. Zeynep, që deshi të jepte vetëm emrin nga frika e përndjekjes së autoriteteve, është një nga organizatoret e forumeve. Ajo thotë se përveç diskutimit të veprimeve të fundit të qeverisë, forumet trajtojnë edhe ndërtimin e demokracisë dhe tolerancës.

“Në çdo park mbahen forume dhe fjalime ku diskutohen shumë çështje të demokracisë. Kështu filloi shumë kohë më parë demokracia: në Greqinë e lashtë, njerëzit mblidheshin në forume apo vende të tilla për të diskutuar çështjet e tyre dhe për të gjetur zgjidhje. Në këto parqe mund të gjesh turq dhe kurdë, fondamentalistë, apo mbështetës të ideve të Kemal Ataturkut. Ata thjesht diskutojnë nuk luftojnë dhe kjo është shumë e rëndësishme”.

Folësi kryesor në forumin e kësaj nate po diskuton për të drejtat e kafshëve. Çështje të tjera përfshijnë të drejtat për abort dhe rolin e fesë në shoqëri. Pjesëmarrësit janë nga të gjitha grupet shoqërore, përfshirë gra me kokë të mbuluar, megjithëse shumica janë të rinj. Një nga pjesëmarrësit i konsideron forumet si një mënyrë për t’u dhënë fund relikeve të fundit të regjimit ushtarak.

“Për ata që marrin pjesë në këto forume, është ndoshta hera e parë në jetë që janë pjesë e një diksutimi demokratik. Sepse veçanërisht pas grushtit të shtetit të vitit 1980, njerëzit ishin fillimisht të papolitizuar dhe larg diskutimeve publike. Prandaj këtu njerëzit lidhen me njëri-tjetrin dhe sfidojnë njëri-tjetrin në diskutime”.

Disa nga pjesëmarrësit janë sulmuar nga grupe të paidentifikuara burrash me shkopinj dhe thika dhe guvernatori i qytetit, i caktuar nga qeveria i ka dënuar forumet si armiqësore. Por deri tani, policia nuk ka ndërhyrë, megjithëse ata që marrin pjesë në forume thonë se policë të veshur si civilë shpesh vëzhgojnë takimet.
Eksperti i shkencave politike Cenhiz Aktar i Universitetit Baçesehir të Stambollit beson se forumet sinjalizojnë një ndryshim të madh në Turqi.

“Është diçka e ndryshme, një lloj i ri veprimi politik që ekziston kudo në vendet e zhvilluara. Është një demokraci pjesëmarrëse, diçka që Turqia po e zbulon me shumë shpejtësi. Njerëz që shprehin hapur mendimet e tyre, që organizohen dhe që sfidojnë vendimet e njëanshme të autoriteteve, do të jenë diçka e përhershme në muajt dhe vitet në vazhdim”.

Forumet që tani kanë filluar të mendojnë për zgjedhjet lokale dhe presidenciale të vitit të ardhshëm, sipas organizatores Zeynep.

“Nga këto parqe, pjesëmarrësve po u jepen detyra, si për shembull vëzhgimi i qendrave të votimit, që të sigurohemi që qeveria të mos manipulojë më. Ne po organizohemi gjithnjë e më shumë. Në fakt ideja jonë nuk është të bëjmë revolucion; ideja është të marrim pjesë në zgjedhje dhe të sigurohemi që kjo qeveri të mos rizgjidhet”.

Kryeministri turk Recep Tayyip Erdogan ka filluar ndërkohë të bëjë fushatë, të organizojë tubime politike dhe takime në gjithë vendin. Vëzhguesit pretendojnë se këto grumbullime do ta rrisin vendosmërinë e protestuesve, ç’ka do të thotë se parqet e Stambollit dhe shumë të tjerë në gjithë vendin do të vazhdojnë të jenë qendra për politikë dhe mosbindjeje politike.