Udhëheqësit rebelë libianë kërkojnë ekstradimin e familjarëve të Gadafit

  • Zëri Amerikës

Udhëheqësit rebelë libianë kërkojnë ekstradimin e familjarëve të Gadafit

Udhëheqësit rebelë të Libisë u kanë kërkuar autoriteteve algjeriane të kthejnë gruan dhe tre nga fëmijët e Gadafit, të cilët hynë në Algjeri të hënën.

Ministria e Jashtme algjeriane njoftoi se gruaja e Moamar Gadafit, Safiya, vajza Aisha, dhe dy nga djemtë e tij, Muhamed dhe Hanibal, kishin kaluar në Algjeri me makinë. Zyrtarët njoftuan se bashkë me ta kishin ardhur edhe bashkëshortët e tre fëmijëve.

Zyrtarët algjerianë thanë se ia kishin raportuar këto informacione Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe dhe Këshilli Kombëtar kalimtar të Libisë. Rebelët libianë kishin akuzuar më parë Algjerinë se mbështeste Gadafin dhe i jepte atij mercenarë për të shtypur revoltën.

"Ne do të përdorin të gjitha mjetet për t’i rikthyer ata dhe për t’i nxjerrë para gjyqit. Ky është synimi ynë. Ne do të garantojmë një gjykim të drejtë për të gjithë familjen Gadafi. Por ne nuk duam që vende të tjera t’i strehojnë ata, të strehojnë familjen ose vetëm Gadafin. Ne do ta konsiderojmë çdo akt të tillë si një akt agresioni kundër dëshirës së popullit të Libisë."

Moamar Gadafi nuk është parë që kur luftëtarët rebelë hynë në kryeqytetin Tripoli javën e kaluar, por zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se nuk ka shenja që të tregojnë se ai është larguar nga Libia. Vendndodhja e djemve të tjerë të Gadafit, të cilët kanë luajtur rol të rëndësishëm në jetën ushtarake dhe ekonomike të Libisë, mbetet e panjohur.

Rreth 2.000 libianë u mblodhën mbrëmë në sheshin e martirëve, sheshi kryesor i Tripolit - për të festuar në prag të Bajramit, i cili shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

"Sot në fakt, revolucioni sapo ka filluar. Ne kemi nevojë për një shoqëri civile. Kjo është gjëja më e rëndësishme, si në çdo shoqëri demokratike. Pra, kjo do të kërkojë një kohë të gjatë dhe nuk do të jetë e lehtë, sidomos pas 42 vjet shtypjeje," thotë Abdul Tabuni, aktivist i të drejtave të njeriut.

Forcat rebele i janë afruar tani qytetit Sirte që është vendlindja e Gadafit. Ato kanë thënë se do ta marrin Sirten me forcë nëse negociatat me udhëheqësit fisnorë për dorëzimin e Gadafit dështojnë.