Parlamenti ukrainas miratoi sot dorëheqjen e Prokurorit të Përgjithshëm Viktor Shokin. Kryeprokurori Shokin konsiderohej nga aleatët perëndimorë të vendit si dhe aktivistët për reforma si pengesë për luftën kundër korrupsionit:
Viktor Shokin dha dorëheqjen në shkurt, pasi Presidenti Petro Poroshenko i bëri thirrje të largohej nga posti.
Mustafa Nayem, deputet në bllokun e Presidentit Poroshenko tha sot në sesionin parlamentar ku u miratua dorëheqja e Shokinit se prokurori ishte sjellë në mënyrë të turpshme në post:
“Prokurori ishte turp për këtë post. Shpresoj që prokurori i ardhshëm që do të propozohet nga presidenti nuk do të jetë i tillë. Për fat të keq dy herë kemi vërejtur kandidatë të dobët në këtë post. Dje dëgjuam se puna e prokurorit është kusht për të marrë ndihma ndërkombëtare. Ky post i ka kushtuar vendit 1 miliard dollarë”.
Disa orë para se të miratohej dorëheqja e prokurorit Shokin, ai pushoi nga puna Davit Sakvarelidze, një ndër ekspertët e huaj të sjellë në Ukrainë për të ndihmuar procesin e reformave. Sakvarelidze ishte kritik i hapur i punës së prokurorit.
Deputetët e grupit parlamentar të Presidentit Poroshenko fajësuan sot në parlament Prokurorin e Përgjithshëm Shokin për ngecjen e reformave.
“Të gjithë ne jemi bashkëfajtorë që zyra e prokurorit të përgjithshëm nuk është shndërruar në një organ drejtësie dhe legjitimiteti në vend. Analiza e gjendjes e bën të domosdoshëm largimin e Viktor Shokinit, i cili nuk ka arritur të sjellë reforma,” thotë deputeti Yuriy Litsenko.
Shtetet e Bashkuara kanë bërë thirrje të përsëritura për reforma rrënjësore në zyrën e prokurorit të përgjithshëm. Kjo zyrë akuzohet nga aktivistët kundër korrupsionit se ka luajtur një rol kyç në mbrojtjen e interesave klienteliste dhe lejimin e praktikave korruptive.