Ukrainë, bombardime të rënda

Një numër i madh civilësh kanë humbur jetën gjatë bombardimeve të sotme në rajonet lindore të Ukrainës, ndërkohë që raundi i ri i bisedimeve të paqes mes Kievit dhe separatistëve pro-rusë nuk arriti të zhvillohej.

Administrata e qytetit të Donetskut, që kontrollohet nga separatistët, njoftoi për pesë persona të vrarë nga bombardimet ndërsa po prisnin për ndihma humanitare para një qendre kulturore. Dy civilë të tjerë u vranë kur një predhë ra pranë një autobuzi diku tjetër në qytet.

Zyrtarët lokalë fajësojnë për to forcat ushtarake ukrainase. Këshilli Kombëtar i Mbrojtjes së Ukrianës nga ana e tij, fajësoi forcat separatiste për viktimat para qendrës së kulturës, duke thënë se numri i të vrarëve ishte 7.

Forcat ushtarake të Ukrainës thanë se nga radhët e ushtarëve të vet, gjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën 5 vetë dhe janë plagosur 23 të tjerë.

Autoritetet ukrainase po ashtu thanë se 7 civilë u vranë nga bombardimet e forcave separatiste në qytetin Debaltseve, një qendër linjash hekurudhore.

Ndërkohë bisedimet e paqes që ishin planifikluar për sot në Minsk, dështuan, kur përfaqësuesit e separatistëve, që kishin shkuar në kryeqytetin e Bjellorusisë për bisedimet, thanë se nuk do të merrnin pjesë dhe u kthyen për në Moskë.

Sekretai i Shtetit John Kerry shkon javën e ardhshme në Ukrainë dhe në Gjermani, për bisedime me zyrtarë, mes tyre edhe me ministrin e jashtëm rus Sergei Lavrov. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki tha sot se zoti Kerry do të takohet me presidentin ukrainas Petro Poroshenko, me kryeministrin Arseniy Yatsenyuk, me Ministrin e Jashtëm Pavlo Klimkin, dhe me anëtarë të Parlamentit ukrainas. Ka patur fjalë që ai mund të shkojë edhe në Moskë, por kjo nuk është konfirmuar nga DASH.