Ukraina njoftoi të premten se kërkon të anëtarësohet në NATO, ndërsa në konfliktin disa mujor me separatistët pro-rusë është hapur një front i tretë.
Kievi kërkon ndihmë ushtarake nga Perëndimi, ndërsa vazhdon të luftojë me rebelët në kufirin lindor të vendit , ku separatistët duket se kanë marrë kontrollin e qytetit Novoazovsk, pas tri ditë luftimesh.
Presidenti rus Vladimir Putin, të cilin udhëheqësit evropianë dhe ata amerikanë e akuzojnë se mbështet separatistët, e akuzon Ukrainën për shtypjen e kundërshtarëve të vet në lindje të vendit.
Ai po ashtu e krahasoi përpjekjen e Kievit për të rimarrë kontrollin e rajoneve kufitare me Rusinë nga forcat rebele, me pushtimin nazist të Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Dytë Botërore.
NATO thotë se rreth 1 mijë trupa ruse po kryejnë “operacione ushtarake të paligjshme” në Ukrainë.
Rusia vazhdimisht ka mohuar se dërgon trupa në Ukrainë, apo se furnizon me armë rebelët pro-rusë në Ukrainën lindore.
President Barack Obama shkon javën e ardhshme në një takim të NATO-s në Wells, ku do të diskutohet lidhur me bashkëpunimin kundër veprimeve të Rusisë ndaj territorit ukrainas.