Mision policor për të siguruar paqen në Ukrainën lindore

Presidenti i Ukrainës, Petro Porosheko, tha se sot është arritur një marrëveshje për dërgimin e një misioni policor të armatosur nga Organizata për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, OSBE, në pjesën lindore, separatiste të Ukrainës.

Të mërkurën u arrit një marrëveshje në bisedimet e Berlinit, ku morën pjesë udhëheqës nga Rusia, Franca dhe Gjermania. Detajet rreth misionit të OSBE-së ende janë duke u shqyrtuar, krahas me një plan për zbatimin e armëpushimit të Minskut. Pas marrëveshjes ka patur më pak përplasje ushtarake në shkallë të gjerë mes trupave ukrainase dhe separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Megjithatë, luftimet kanë vazhduar, ndërsa përpjekjet për të arritur një marrëveshje politike kanë ngecur. Detyra kryesore e misionit policor të OSBE-së do të jetë garantimi i sigurisë për zgjedhjet lokale në lindje të vendit, një kusht madhor i marrëveshjes së Minskut të një viti më parë. Kjo marrëveshje, e nënshkruar në kryeqytetin bjellorus nga përfaqësuesit e Ukrainës, Rusisë dhe nga rebelët separatistë, kërkon që Ukraina të decentralizojë pushtetin dhe të miratojë ligje që bëjnë të mundur vetëqeverisjen në zonat lindore të vendit, që aktualisht kontrollohen nga seperatistët.