Manovra të përbashkëta amerikano-ukrainase

Në Ukrainën perëndimore filloi të hënën një stërvitje ushtarake që përfshin forca ukrainase dhe amerikane, së bashku me trupa nga forcat e NATO-s. Stërvitja zhvillohet ndërkohë që luftimet mes trupave qeveritare dhe kryengritësve të mbështetur nga Rusia janë shkallëzuar në Ukrainën lindore, megjithë armëpushimin.

Manovrat e trajnimit në terren “Rapid Trident” po zhvillohen në Qendrën Ndërkombëtare për Paqen dhe Sigurinë (IPSC) në Yavoriv, pranë kufirit të Ukrainës me Poloninë. Ja si i përshkroi manovrat koloneli amerikan Alfred Renzi.

“Shumë prej veprimeve taktike përkojnë me operacionet e stabilitetit dhe veprimet luftarake si reagimi i ushtarëve ndaj një sulmi apo ndonjë prite pastaj reagimi i tyre për të eleminuar kërcënimin ndaj një objektivi të caktuar.”

Trupat ushtarake të Ukraninës, Shteteve të Bashkuara dhe vendeve anëtare të NATO-s do të kryejnë manovra me mjete shpërthyese, operacione për shoqërimit të karvaneve dhe patrullime. Oleksander Suvak është Nënkryetar i Akademisë Ushtarake të Ukrainës.

“Manovrat përdorin shtete imagjinare si Skolkam në Evropën Veriore, që përpiqet të sulmojë vende përqark Detit të Zi. Trupat po trajnohen për t’u vënë në linjën e frontit këtu në këtë poligon ushtarak.”

Ministria e Jashtme e Rusisë lëshoi një deklaratë të hënën ku e dënon stërvitjen, duke e quajtur atë një "demonstrim të qartë" nga NATO-ja "të mbështetjes pa kushte ndaj politikave të autoriteteve të Kievit" në juglindje të Ukrainës, “si rezultat i të cilave çdo ditë në rajon vazhdojnë të vdesin civilë."

Ushtria amerikane e përshkroi stërvitjen si "një manovër rajonale për trajnimin në terren dhe që fokusohet në operacionet paqeruajtëse dhe stabilitetin."

Manovrat do të vazhdojnë deri në fund të muajit.