Presidenti Trump dekoron ambasadorin Grenell për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Presidenti amerikan, Donald Trump, dekoroi me medaljen e Sigurisë Kombëtare të dërguarin e tij të posaçëm për bisedimet e paqes Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Në motivacionin e presidentit vlerësohet “kontributi i jashtëzakonshëm” i ambasadorit Grenell “që mundësoi nënshkrimin historik të normalizimit të marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Me këtë marrëveshje, Serbia dhe Kosova rivendosën lidhjet e drejtpërdrejta ajrore, hekurudhore dhe autostradën, projektet kryesore të infrastrukturës të nevojshme për të lehtësuar rritjen ekonomike dhe lëvizjen e mallrave dhe njerëzve. Kjo marrëveshje është një hap i rëndësishëm drejt ndërtimit të një Evrope më paqësore, të sigurt dhe më të përparuar”, thuhet mes të tjerash në vendimin e presidentit të cilin e shpërndau në rrjetete sociale ambasadori Grenell.

Më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia nënshkruan një dakordim për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike në praninë e presidentit, Donald Trump, i cili tha se “pas një historie të dhunshme dhe tragjike dhe vitesh negociatash të dështuara, administrata ime propozoi një mënyrë të re për të kapërcyer ndarjen... Duke u përqendruar në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike, të dy vendet ishin në gjendje të arrijnë një përparim të vërtetë në bashkëpunimin ekonomik për një gamë të gjerë çështjesh".

Lexoni edhe këtë Trump: Marrëveshja Kosovë-Serbi, një hap i madh përpara

Ambasadori Grenell u emërua i dërguar i posaçëm në vitin 2019 ndërsa shërbente si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Berlin.

Ish presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas marrëveshjes së 4 shtatorit nderoi me urdhrin më të lartë shtetëror – Urdhrin e Lirisë – presidentin Donald Trump, në shenjë mirënjohjeje për kontributin e tij për lirinë e Kosovës, forcimin e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon.

Lexoni edhe këtë Presidenti Thaçi nderon me ‘Urdhrin e Lirisë’ presidentin Trump