Sekretari amerikan i shtetit John Kerry, tha se tash është “çasti vendimtar” për Rusinë dhe separatistët pro rus që të përmbushin marrëveshjen e paqes që synon t’i jap fund dhunës në Ukrainën Lindore.
Sekretari Kerry i bëri këto komente në Antalya të Turqisë, ku të mërkurën u takua me ministrat e jashtëm të NATO-s.
Komentet e tij pasuan takimin e së martës me presidentin rus Vladimir Putin dhe ministrin e jashtëm Sergei Lavrov në Sochi. Ai tha në Rusi se nuk ka "asnjë zëvendësim" për bisedimet e drejtpërdrejta me vendimmarrësit kryesor mbi çështjet e ndërlikuara globale të tilla si konfliktet në Ukrainë dhe në Siri.
Udhëtimi i sekretarit Kerry ndodhë në një periudhë kur marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit dhe Moskës kanë rënë në nivelin më të ultë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë për shkak të mospajtimeve rreth Ukrainës dhe Sirisë dhe udhëtimi dukej si një përpjekje për ruajtjen e kontakteve nëse asgjë tjetër.
Të martën, u publikua një raport i hartuar nga udhëheqësi i vrarë opozitar rus Boris Nemtsov, në të cilin thuhet se të paktën 220 ushtarë rusë janë vrarë vitin e kaluar gjatë luftimeve në juglindje të Ukrainës.
Moska ka mohuar vazhdimisht pohimet për përfshirje në konflikt.
Më shumë se 6 mijë e 100 veta janë vrarë në krizën ukrainase që nga prilli i vitit 2014.
Zyrtarët amerikan u kanë bërë thirrje palëve në konfliktin e Ukrainës që t’i përmbahen marrëveshjes së Minskut, që bën thirrje për zgjidhje politike të konfliktit në Ukrainë dhe zvogëlimin e përfshirjes ushtarake. Marrëveshja bën thirrje për tërheqjen e armatimit të rëndë dhe të luftëtarëve të huaj nga Ukraina lindore, lirimin e të burgosurve nga burgjet ruse dhe lejimin e vëzhguesve të Organizatës për Siguri e Bashkëpunim në Evropë që të fillojnë përgatitjen e zgjedhjeve lokale.