Retorikë e ashpër SHBA-Koreja e Veriut

Retorika mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Veriut është ashpërsuar. Presidenti Donald Trump tha se udhëheqësi i Koresë së Veriut do të “pendohet shpejt” nëse kërcënon ose vepron kundër Guamit, apo ndonjë territori tjetër të Shteteve të Bashkuara apo aleat. Presidenti amerikan Donald Trump tha se "zgjidhjet ushtarake janë tani plotësisht gati," nëse regjimi i Kim Jong Un-it "bën veprime të pamatura":

"Ne jemi duke e shqyrtuar me shumë kujdes çështjen e Koresë së Veriut dhe unë shpresoj se ata do ta kuptojnë seriozitetin e fjalëve të mija. Kur flas unë e kam megjithë mend. Shpresoj që ata kanë për ta kuptuar."- tha Presidenti.

Kina, një aleate tradicionale e Koresë së Veriut, tha se nuk do ta ndihmonte Phenianin, në se ai sulmon i pari.

Të premten në mbrëmje Presidenti Donald Trump dhe Presidenti kinez Xi Jinping patën një bisedë telefonike; ata përsëritën përkushtimin e tyre për çmilitarizimin e gadishullit korean.

Në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë thuhej se të dy udhëheqësit pohuan se miratimi i një rezolute të re në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për Korenë e Veriut ishte një hap i rëndësishëm dhe i nevojshëm drejt paqes dhe stabilitetit në gadishullin korean.

Pheniani reagoi të shtunën ndaj paralajmërimeve të Presidentit Trump. Në një artikull editorial të botuar në gazetën partiake Mi nju Joson thuhej se SHBA e gjejnë veten në një dilemë, të mbërthyer në një ankth të jashtëzakonshëm për sigurinë nga kërcënimi i Republikës Popullore Demokratike e Koresë së Veriut. Ushtria e revolucionare e Republikës së Koresë është e fuqishme për të luftuar çdo lloj lufte që kërkojnë Shtetet e Bashkuara", thuhej në artikullin e Phenianit.

Pas disa ditë kërcënimesh të ashpra ndaj Koresë së Veriut, Presidenti Trump ia drejtoi paralajmërimin e tij të premten udhëheqësit të vendit komunist, Kim Jong Un, si përgjigje ndaj njoftimeve se ai ka plane për të hedhur raketa pranë ishullit Guam.

Presidenti Trump tha se dhjetëra miliona amerikanë mbështesin qëndrimin e tij të ashpër ndaj kërcënimit bërthamor të Koresë së Veriut.