Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti të premten në Prishtinë, bashkërenduesin e kundër terrorizmit në Departamentin amerikan të Shtetit, Nathan A. Sales, me të cilin siç thuhet, ka biseduar për zhvillimet politike në Kosovë dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
"Kosova është pjesë e koalicionit global në luftën kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit, që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, citohet të ketë thënë kryeministri Haradinaj, duke theksuar "përkushtimin për bashkëpunimin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në të gjitha fushat e interesit të përbashkët".
Në një njoftim të zyrës së tij thuhet se ai ka kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Kosovës në policinë ndërkombëtare, Interpol dhe organizata tjera të rëndësishme ndërkombëtare.
Delighted to receive Amb. #NathanSales, U.S. Coordinator for Counterterrorism, to update on KS Gov’s systematic & uncompromising approach to combat terrorism & strengthen rule of law. #Kosovo is a serious & loyal partner of our allies in the global coalition against terrorism. pic.twitter.com/zoO6lMqjLw
— Ramush Haradinaj (@haradinajramush) October 19, 2018
Në komunikatë thuhet se zoti Sales, "ka vlerësuar përparimin e Kosovës, duke thënë së ajo do të vazhdojë ta ketë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe në të ardhmen, duke vlerësuar se forcimi i sundimit të rendit dhe të ligjit dhe zhvillimi demokratik i vendit janë të rëndësishme në rrugën euroatlantike".
Ambasadori Sales, qëndroi në Kosovë në kuadër të vizitës në rajon që përfshiu edhe Bosnjën e Shqipërinë për të diskutuar mbi bashkëpunimin kundër terrorizmit, ndjekjen e terroristëve dhe sigurinë e kufijve.