Sekretari Blinken i shpreh mirënjohje Kosovës për strehimin e qytetarëve afganë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, falenderoi të hënën Kosovën për strehimin e përkohshëm qytetarëve afganë të cilët kishin punuar me trupat e koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

“Në bisedën time sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e falënderova qeverinë dhe popullin e Kosovës për mikpritjen e afganëve të rrezikuar. Qytetarët e Kosovës, shumë prej tyre dikur edhe vet refugjatë, sërish dëshmuan gatishmërinë dhe kapacitetin e tyre për të kontribuar për paqen dhe sigurinë globale”, shkroi sekretari Blinken.

Ndërsa kryeministri Kurti tha në një postim ne Twitter se sekretari Blinken shprehu vlerësimin e presidentit amerikan për mbështetjen dhe bashkëpunimin e Kosovës.

“Kosova është e nderuar të ofrojë një mjedis të sigurt për qytetarët afganë gjatë tranzicionit të tyre. Aleanca jonë me Shtetet e Bashkuara është e palëkundur dhe miqësia jonë po bëhet më e fortë”, shkroi kryeministri Kurti.

Të premten nënpresidentja amerikane, Kamala Harris, bisedoi në telefon me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, për të shprehur siç u tha mirënjohjen e Shteteve të Bashkuara për ndihmën e Kosovën në evakuimin e qytetarëve afganë.

Lexoni edhe këtë Bisedë telefonike mes Nënpresidentes Kamala Harris dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani

Deri tani në Kosovë janë strehuar rreth 700 qytetarë afganë.

Më herët gjatë ditës, sekretari Blinken falënderoi të gjitha vendet përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë, që ndihmuan në evakuimin e rreth 124 mijë personave nga Afganistani.