SHBA, sanksione të mundshme shtesë ndaj Venezuelës

Sipas një zyrtari të lartë amerikan në ditët e ardhshme administrata Trump do të vendosë saksione të tjera ndaj Venezuelës.

Përfaqësuesi Special për Venezuelën Elliott Abrams tha gjithashtu se këtë javë Uashingtoni do të sjellë për votim përpara Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara një projekt-rezolutë, që bën thirrje për lejimin e hyrjes së ndihmave humanitare në vend.

Ministri i Jashtëm i Venezuelës Jorge Arreaza, i bëri thirrje anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të miratojnë një rezolutë që refuzon përdorimin e forcës ndaj vendit të tij.

"Është e pabesueshme, por siç i thashë zotit Elliott Abrams, gjatë takimit të fundit që patëm këtu në Nju Jork York, grushti i shtetit dështoi. Tani është koha për të mbledhur mendjen, të respektohet e drejta ndërkombëtare dhe kushtetuta venezueliane", tha ai.

Të hënën nënpresidenti amerikan Mike Pence njoftoi vendosjen e sanksioneve kundër katër guvernatorëve të Venezuelës të cilët mbështesin Nicolas Maduron.

Zoti Pence shtoi se Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë një ndihmë shtesë në vlerën e 56 milionë dollarëve për vendet e Amerikës Latine të cilët po kujdesen për më shumë se 3 milionë venezueljanë që janë larguar nga vendi që nga viti 2015.