Gjyq ushtarak për Bradley Manning

  • Zëri Amerikës

Gjyq ushtarak për Bradley Manning

Ushtria e Shteteve të Bashkuara ka urdhëruar që të zhvillohet një gjyq ushtarak për një ekspert të zbulimit me gradë të ulët, i cili akuzohet se i ka dhënë dokumenta sekrete faqes së internetit WikiLeaks.

Një zëdhënëse e ushtrisë tha se ushtria e miratoi propozimin për zhvillimin e gjyqit ndaj ish-ushtarakut Bradley Manning. Ende nuk është vendosur data se kur do të fillojë procesi.

Zoti Manning u paraqit në muajin dhjetor në një seancë dëgjimore paraprake. Ekspertë të akuzës dëshmuan se kishin gjetur prova që vërtetonin se zoti Manning kishte shkarkuar dokumenta diplomatikë në disqe, të cilat i ishin dërguar faqes së internetit kundër-sekreteve WikiLeaks.

Avokatët e zotit Manning e kanë përshkruar klientin e tyre si një njeri me probleme mendore, i cili nuk duhej të ishte lejuar të përdorte dokumenta sekrete gjatë shërbimit të tij në Irak, në periudhën nëntorit 2009 - maj 2010. Ata thanë gjithashtu se kontrolli i kompjuterave të tij nga ana e ushtrisë kishte qenë i pasaktë.

Zoti Manning përballet me 22 akuza, përfshi edhe atë të ndihmës ndaj armikut. Atij mund t’i duhet të kalojë pjesën tjetër të jetës në burg, nëse shpallet fajtor.