Protestat në Venezuelë do të vazhdojnë

Opozita në Venezuelë njoftoi se do të fillojë një protestë dy-ditëshe në shkallë kombëtare, ku do t’i kërkojë Presidentit Nicolas Maduro anulimin e zgjedhjeve të debatueshme për Kongresin e ri më 30 korrik.

Protestuesit u mblodhën dje në Karakas, ku marshuan drejt Gjykatës së Lartë, me parrulla kundër planit të Presidentit për ndryshimin e Kushtetutës.

Trupat qeveritare përdorën gaz lotsjellës ër shpërndarjen e protestuesve.

Një violinist i cili është bërë një nga fytyrat më të njohura të protestave kundër presidentit Maduro, u plagos dje në përleshjet e dhunshme në Karakas.

Koalicioni i opozitës dhe lëvizja "Rezistenca", e drejtuar nga të rinjtë, filluan protesta në fillim të prillit kundër Maduros, të cilët e akuzojnë se e ka kthyer vendin në një diktaturë.

Maduro, nga ana tjetër, i quan demonstruesit "terroristë", që kërkojnë grusht shteti me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe medias ndërkombëtare.

Rreth 100 vetë kanë vdekur gjatë protestave që nga muaji prill. Mijëra vetë janë plagosur dhe qindra të tjerë janë arrestuar.