Videoja e organizatës Fëmijët e Padukshëm dhe grupet e të drejtave të njeriut

  • Niko Kolombant

Publikimi këtë muaj i një videoje në Internet nga një organizatë jo fitimprurëse amerikane, që dënon një udhëheqës rebel të Ugandës është bërë shkas i një debati ndërkombëtar dhe ka tronditur organizatat e të drejtve të njeriut në gjithë botën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Nico Colombant sjell hollësi nga Uashingtoni.

Si shumë fushata të tjera të të drejtave të njeriut, videoja e publikuar nga organizata Fëmijët e Padukshëm, u ndihmua nga emrat me famë. Një prej tyre ishte aktorja e Hollivudit, Angelina Jolie, e cila kohët e fundit foli hapur kundër Joseph Kony, udhëheqësi i Ushtrisë së Qëndresës së Zotit në Uganda.

“Ai është një qenie njerëzore e tmerrshme. Ka ardhur koha për veprim dhe më vjen shumë mirë që shikoj të rinj që ngrihen kundër tij”.

Disa prej yjeve të artit dhe mediave më të mëdha në Shtetet e Bashkuara përdorën median shoqërore për të bërë të njohur sa më shumë videon 29 minutëshe, kur ajo u publika më 5 mars. Të njëjtën gjë bënë nxënësit e shkollave të mesme dhe studentët e universiteteve në mbarë Shtetet e Bashkuara dhe gjetkë.

Videoja Kony ka tërhequr më me shpejtësi dhe më shumë vizitorë se çdo gjë tjetër e publikuar ndonjëherë në Internet. Vitin e kaluar, Presidenti Barack Obama dërgoi 100 këshilltarë ushtarakë për të ndihmuar përpjekjet e vazhdueshme kundër një kryengritjeje, që për dekada ka rrëmbyer fëmijë, ka shpërngulur civilë dhe ka gjymtuar fytyrat e viktimave në Afrikën Qendrore.

Ekspertja e të drejtave të njeriut dhe zhvillimit në botë në Universitetin Amerikan në Uashington, Lori Handrahan, mendon se fushata e organizatës Fëmijët e Padukshëm po revolucionalizon mbrojtjen e çështjeve të ndryshme. Ajo thotë se mbrojtës të tjerë duhet të krijojnë komunitete të reja aktiviste, duke përdorur video, media shoqërore dhe personalitete të ndryshme.

“Mendoj se profesionistët që kanë punuar në aspektin e ndihmave humanitare për dekada me radhë duhet me të vërtetë të përqafojnë median shoqërore dhe të kuptojnë rëndësinë dhe dobinë e saj”.

Michael Poffenberger i grupit Vendosmëria me bazë në Uashington dhe kritik për një kohë të gjatë i Ushtrisë së Qëndresës së Zotit, thotë se videoja mund të jetë shumë e efektshme në nxitjen e aktivistëve të rinj të të drejtave të njeriut.

“Edhe ekspertët diku marrin shkas për të filluar punën e tyre. Shumica e njerzve që kanë punuar me këto çështje për dekada me rradhë ende e kujton përvojën transformuese në jetën e tyre qoftë ndikimi i një mësuesi të mirë apo një moment, që ka shërbyer si pikë kthese për diçka që ka ndodhur në një pjesë tjetër të botës”.

Objektivi i videos është kapja e Kony-t në mënyrë që ai të nxirret para Gjykatës Ndërkombëtare Penale nën akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerzimit. Zoti Poffenberger ka bërë gjithashtu thirrje që t’u kushtohet më shumë rëndësi në botë projekteve shoqërore dhe atyre të zhvillimit në zonat e prekura nga Ushtria e Qëndresës së Zotit.

Shumë prej komenteve në median shoqërore të shkaktuara nga videoja Kony ka qënë negative, duke filluar nga kritikat rreth mangësive të drejtësisë së stilit perëndimor, apo tek fakti që kjo organizatë është dëmtuar rëndë dhe është larguar nga Uganda, e deri tek sugjerimet se aktivistët amerikanë duhet të përqëndrohen tek problemet e Amerikës.

Profesori i Universitetit Amerikan Handrahan shikon shumë xhelozi të pavend në këto komente, disa prej tyre në adresë të protagonistit kryesor të filmit, regjizorit amerikan, Jason Russell.

“Nuk mendoj se ka vend për xhelozi kur bëhet fjalë për fushata kundër kriminelëve të luftës në gjithë botën. Ata njerëz, që nuk e kuptojnë se çfarë po bën Jason Russell me filmin Fëmijët e Padukshëm dhe çfarë po bëjnë të gjithë njerzit që e mbështesin atë, kanë nevojë të hapin sytë dhe ky film ofron pikërisht këtë”.

Në një prej intervistave të tij të rralla para disa vjetësh, vetë Kony tha se është i pafajshëm dhe fajësoi për krimet trupat ugandeze. Ai tha gjithashtu se nuk ka mjetet e nevojshme për të shpërndarë mesazhin e tij tek një audience ndërkombëtare.

Ekspertët i kanë përshkruar luftëtarët e tij si shumë të stërvitur dhe shumë të motivuar nga mosmarrëveshje shumë vjeçare kundër qeverisë së Ugandës për abuzimet e kryera në të kaluarën kundër popullsisë Acholi në veri të vendit.