Vizita e Ramës në Gjermani

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaroi sot në Berlin gjatë një konference shtypi me kryeministrin shqiptar Edi Rama se vendi i saj do ta shohë me pozitivitet cështjen e statusit në Bashkimin Europian për Shqipërinë, por në bazë të raportit që do të paraqitet nga Komisioni, saktësoi ajo.

Në qershor – tha kancelarja Merkel - Komisioni do t`i ketë regjistruar përparimet në Shqipëri dhe ne do t`i shikojmë me vështrim pozitiv dhe do të vendosim me vështrim pozitiv”, ndërsa shtoi se “perspektiva europiane është e nevojshme për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe për Shqipërinë”.

Kancelarja gjermane nënvizoi edhe një herë se “lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, shteti ligjor dhe pavarësia e sistemit gjyqësor janë standarte shumë të rëndësishme për t’u arritur”. Nga ana e tij kryeministri shqiptar Edi Rama përsëriti angazhimin e qeverisë së tij për të ecur përpara me reformat që do të mundësonin një luftë reale ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Shqipëria e ka vendin në Europë, theksoi zoti Rama duke premtuar se Tirana “do të bëjë gjithçka ditë pas dite, që të meritojë atë respekt dhe të meritojë atë vend që shqiptarët aspirojnë”.