Radioja lundruese e Zërit të Amerikës

Në vitin 1952, gjatë Luftës së Ftohtë, një anije rreth 103 metra e gjatë e Rojës Bregdetare amerikane u shndërrua në bazë të lëvizshme të transmetimeve të Zërit të Amerikës. Misioni i saj për më shumë se një dekadë ishte të dërgonte informacion përtej Perdes së Hekurt për t'iu kundërvënë propagandës sovjetike, në dhjetëra gjuhë amtare. Kohët e fundit u hap një ekspozitë në nder të veteranëve dhe punonjësve të Zërit të Amerikës të cilët shërbyen në bordin e anijes, në ujërat pranë Rodos, në Greqi.

Anija Courier (Korrieri) transmetoi lajme, muzikë dhe shpresë pas Perdes së Hekurt.

E porositur nga Presidenti Harry Truman në vitin 1952, anija ishte një mjet komunikimi esencial i SHBA-së gjatë Luftës së Ftohtë. Me emrin e koduar Operacioni Vagabond, stacioni radiofonik lundrues ishte një partneritet unik mes Zërit të Amerikës dhe Rojës Bregdetare të Shteteve të Bashkuara.

Robert Haldi shërbeu si toger në anije nga viti 1958 në 1961.

"Misioni i përgjithshëm i anijes Courier ishte që të ishte një Zë i Amerikës në Lindjen e Mesme dhe në republikat jugore ruse, në mënyrë që ata mund të dëgjonin prej botës së jashtme."

Sa më shumë që Shtetet e Bashkuara kërkonin të dërgonin informacion prapa Perdes së Hekurt, po aq sovjetikët donin t’i bllokonin ato transmetime.

Bob Mariott ishte anëtar i ekuipazhit origjinal të anijes Courier në vitin 1952. Ai punonte në dhomën e transmetimit, që kishte në dispozicion tre kuverta dhe një listë prej tre frekuencash për çdo program.

"Ne patëm një listë të gjatë, sepse rusët i bllokonin frekuencat. Në fillim kapnim sinjal të mirë dhe të qartë e më pas dëgjonim vetëm zhurmë… Dukej si të ishte një mulli kafeje. Dhe ne na duhej të kalonim në frekuencë tjetër. Në një farë mënyre ishim ballë për ballë me rusët. Nuk u përballëm asnjëherë drejtpërdrejt dhe shpresonim që të mos takoheshim asnjëherë, por çdo natë ishim duke luajtur si macja me miun."

Anija Courier transmetoi programe në 13 gjuhë, gjatë shtatë ditëve të javës, në sajë të një sinjali 150-kilovatë që ishte tre herë më i fortë sesa transmetuesit tradicionalë me bazë në tokë.

Richard Shannon, i njohur si Red, kujton se fusha elektronike ishte kaq e fortë saqë mund të ndizej një llambë neoni pa e futur në prizë.

"Rrezatimi ishte kaq i fortë gjatë natës, saqë në vend që të përdornim pajisjet sinjalizuese që përdornim gjatë ditës, ne mund të mbanim në duar, me doreza, llamba neoni të gjata, për të dërguar sinjalet semaforike."

Anija fillimisht ishte e pajisur me balona që përmbanin antenat me valë të mesme, por inxhinieri i VOA-s Ivan Boor projektoi një sistem të ri, kur ato nisën të kishin probleme.

"Telat e antenave shpesh përfundonin në Turqi. Prandaj, Ivan Boor krijoi atë që quhet sistemi “Delta D”. Tre tela përshkonin pjesën e lartme të anijes duke kaluar nëpërmjet disa nyjeve të vendosura dhe më poshtë dhe ky ishte një sistem më i mirë për antenat e transmetimit."

Ky vit shënon 50 vjetorin e përfundimit të misionit të Korrierit, në vitin 1964. Në qershor, në nder të kësaj anijeje, u hap një ekspozitë në Akademinë e Rojës Bregdetare në New London, të shteitit Konektikat.

Kuratorja Jennifer Gaudio e titulloi ekspozitën "Një zë shprese dhe lirie", frymëzuar nga shënime të shkurtra të shkruara mbi copa letrash, të dërguara nga dëgjues prapa Perdes së Hekurt.

"Zëri i Amerikës ka të bëjë me transmetimin e shpresës dhe së vërtetës, ndërsa misioni kryesor i Rojës Bregdetare është të shpëtojë jetë. Ky ishte një eksperiment unik për të dyja, sidomos në ujërat e paeksploruara të Luftës së Ftohtë."

Për 12 vjet me radhë, transmetimet e VOA-s nga anija Courier ishin shpesh të mbushura me muzikë amerikane – si pjesë jazz nga Charlie Parker. Gjithashtu, mbreti i Rock 'n' Rollit, Elvis Presley, lundroi me të në mbarë botën. Ky shkëmbim kulturor kishte për qëllim të frymëzonte zemrat dhe mendjet prapa Perdes së Hekurt.

"Ndihesh krenar kur mendon se ke qenë pjesë e një njësie të rëndësishme. Edhe pse nuk gjuajtëm asnjëherë, kemi qenë një faktor i rëndësishëm i Luftës së Ftohtë."

Jennifer Gaudio thotë se ekspozita do të udhëtojë në të gjithë vendin. Ajo thotë se synon të hedhë dritë mbi këtë mision komunikimi të rëndësishëm, por jo shumë të njohur të periudhës së Luftës së Ftohtë.