Rënie e madhe në bursat e gjithë botës

Bursat shënuan sot rënie pasi kreu i Rezervave Federale, Ben Bernanke tha se banka qendrore amerikane mund të mos ndërhyjë më në tregje me aq forcë për stimulimin e ekonomisë

Bursat në mbarë botën shënuan sot rënie të madhe pasi kreu i Rezervave Federale, siç njihet Banka Qendrore në Shtetet e Bashkuara, Ben Bernanke tha se banka qendrore amerikane mund të mos ndërhyjë më në tregje me aq forcë për stimulimin e ekonomisë, e cila është duke u përmirësuar.

Bursat në Azi ranë me 2 përqind ose më shumë, ndërsa tregjet në Paris, Frankfurt dhe Londër ranë mbi 3 përqind. Edhe në Shtetet e Bashkuara, bursa që ra dje me 1 përqind pas komenteve të zotit Bernanke, deri në mesditën e sotme ishte në rënie me 1 përqind.

Ekonomisti Mark Vitner i bankës Wells Fargo, një nga më të mëdhatë në Amerikë, thotë se, si për ironi, bursat po bien pasi ritmet e përmirësimit të ekonomisë amerikane janë të forta dhe se ka kaq shumë njoftime të mira për ekonominë, sa që banka qendrore thotë se mund të heqë dorë nga blerja në masë e bonove të thesarit, pak më shpejt se sa prisnin tregjet.

Analistët e tregjeve e kishin kritikuar bankën qendrore në javët e fundit për dërgimin e mesazheve jo të qarta, në se do të vazhdonte apo jo të blente bono thesari me një vlerë prej 85 miliardë dollarësh në muaj, për t’i mbajtur në këtë mënyrë të ulta normat e interesave afatgjata, me synim përfundimtar stimulimin e ekonomisë. Paketa stimuluese ekonomike ndikoi që bursat amerikane të arrinin nivele rekord, por kohët e fundit, për shkak të paqartësive, tregjet e aksioneve janë luhatur nga dita në ditë, duke shënuar fitime të mëdha por edhe humbje të thella.

Tani, drejtori rezervave federale thotë se ekonomia e Amerikës, më e madhja e botës, po tregon shenja përmirësimi dhe si rezultat, banaka qendrore nuk do të blejë më sasi kaq të mëdha bonosh thesari gjatë këtij viti dhe mund të ndërpresë blerjen e tyre në 2014, në se ekonomia vazhdon me të njejtat ritme dhe nuk keqësohet.