Zyrtarët evropianë kritikojnë klasifikimin në nivel më të ulët të ekonomisë greke

  • Zëri Amerikës

Zyrtarë të lartë evropianë dhe qeveria greke po shprehin kritika të ashpëra ndaj vendimit dje, të njërës prej agjencive kryesore të vlerësimit të kredive që e uli vlerësimin e bonove të thesarit të Greqisë në shkallën “të pavlefshme”. Komisioneri i BE-së për ekonominë dhe financat, Olli Rehn e cilësoi vendimin të çuditshëm dhe të pafat. Ndërsa kryeministri i Luksemburgut Jean-Claude Juncker e cilësoi vlerësimin si jo racional.

Agjencia "Moody" e uli 4 shkallë nivelin e kreditimit të Greqisë, megjithëse BE-ja dhe FMN-ja kanë grumbulluar 135 miliardë dolarë për paketën e shpëtimit për këtë vend. Qeveria greke i ka shkurtuar shpenzimet, ka ngritur taksat dhe ka ulur pagat, në përpjekje për të pakësuar deficitin e madh buxhetor. Në muajin prill, një tjetër agjenci, "Standart and Poors", e pakësoi nivelin e kredive të Greqisë.

Ndërkohë, aksionet e bursës greke ranë sot, pas njoftimit të Agjencisë Moody se vlerësimi i saj bazohet në shqetësimin se Athina mund të mos jetë në gjendje të ulë deficitin dhe të paguajë borxhin e saj. Por Ministria e Financave e Greqisë tha se vlerësimi i agjencisë "Moody" nuk pasqyron aspak përparimin që zyrtarët grekë thonë se është bërë muajt e fundit.