Lidhje

President Obama, $30 milionë kundër thatësirës


Zoti Obama gjithashtu po lejon më shumë kredi me interes të ulët për fermat bujqësore e blegtorale

Presidenti Barak Obama po autorizon një shtesë prej 30 milionë dollarësh në ndihma për të zbutur pasojat nga thatësira në bujqësi e blegtori. Ekspertët thonë se moti i thatë në Amerikë ka ngjarë të ndikojë çmimet në ushqim dhe lëndë djegëse në mbarë botën.

Presidenti Obamau takua të martën me zyrtarët e departamenteve të ndryshme qeveritare për të gjetur mënyra për të ndihmuar prodhuesit amerikanë të ushqimit, të cilët janë goditur nga një thatësirë që ai e quan shkatërrimtare dhe të pashembullt

Ndër hapat që presidenti po ndërmerr është që t'i japë Departamentit të Bujqësisë 30 milionë dollarë për të ndihmuar të sigurojë më shumë ujë për bagëtinë dhe për të rikushtëzuar tokat e prekura nga thatësira. Zoti Obama gjithashtu po lejon më shumë kredi me interes të ulët për fermat bujqësore e blegtorale dhe më shumë kredi për bizneset e vogla të lidhura me këto ferma. Ai urdhëroi gjithashtu një program për të ndihmuar shoferët e kamionëve që dërgojnë furnizime në zonat e prekura nga thatësira.

Presidenti tha se hapa të mëtejshme janë të mundshme.

"Ne do të vazhdojmë të kërkojmë mendime nga organizata shtetërore dhe krahinore, nga grupe jo-fitimprurëse, nga sektori privat, dhe mbi të gjitha nga fermerët dhe blegtorët që janë ndikuar direkt, për të gjetur mënyra të tjera se si mund të ndihmojmë. Sepse kur ndodh një katastrofë si kjo, të gjithë duhet të bashkohemi "

Zoti Obama tha se ka shpallur zona të fatkeqësisë natyrore në 32 shteteve.

Presidenti i bëri gjithashtu thirrje Kongresit që të miratojë projekt buxhetin 5 vjeçar prej 500 miliardë dollarësh ku përfshihen edhe fondet për bujqësinë. Ky project-buxhet është miratuar në Senat, por jo në Dhomën e Përfaqësuesve.

"Kongresi duhet të miratojë një ligj për bujqësinë që jo vetëm siguron mjete të rëndësishme të ndihmave në raste fatkeqësish, por përmban edhe fonde për reformat e nevojshme dhe u jep fermerëve sigurinë që ata meritojnë."

Zyrtarët thonë se kjo është një nga thatësirat më të këqia të Amerikës në dekada.

Ekonomist Chris Hurt i Universitetin Purdue në shtetin Indiana thotë se të mbjellat janë zhuritur dhe rajoni i mesëm-perëndimor është duke vuajtur një nga periudhat më të këqija që prej thatësirës së viteve 1930.

"Misri është një nga kulturat bujqësore që është prekur më shumë. Thatësira e sivjetme ia ka kaluar asaj të viti 1988 dhe po i afrohet thatësirës së madhe të viteve 1934 - 1936. "

Profesor Hurt thotë se mungesa e grurit dhe eksporteve të tjera bujqësore amerikane do të ndihen në mbarë botën.

"Përderisa Shtetet e Bashkuara janë eksportuesi më i madh i mallrave me bazë bujqësore në botë, kjo do të thotë që ushqimet dhe karburantet me çmime të larta do të eksportohen edhe në botë."

Ekspertët thonë se shirat i ditëve të fundit dhe parashikimet për temperatura të ulta për këtë javë në rajonet e mesme-perëndimore të Shteteve të Bashkuara mund të ndihmojnë kulturën e sojës, por janë shumë vonë për misrin, që tashmë duket se është dëmtuar rëndë nga thatësira.
XS
SM
MD
LG