Lidhje

Beograd: Shtatë të dënuar për krime lufte në Kosovë


Gjykata e Lartë në Beograd
Gjykata e Lartë në Beograd

Një gjykatë në Beograd dënoi të mërkurën shtatë ish pjesëtarë të Ushtrisë Jugosllave me gjithsej 56 vjet heqje lirie, nën akuzat për krime lufte në fshatrat Lubeniq, Qyshk, Pavlan dhe Zahaç të rajonit të Pejës në Kosovën perëndimore në prill dhe maj 1999, ku u vranë 118 shqiptarë.

Gjykata e Lartë në Beograd e dënoi me 20 vjet heqje lirie të akuzuarin Toplica Miladinoviç, komandanti i një njësie ushtarake, për “urdhrin ndaj vartësve të tij për të kryer krime lufte”.

Gjykata dënoi Predrag Vukoviçin me 13 vjet heqje lirie, Abdulah Sokiçin 12 vjet, Sinisha Misiçin me pesë vjet heqje lirie dhe tre të tjerë, Slavisha Kastratoviç, Boban Bogiçeviç dhe Lazar Pavloviç me nga dy vjet heqje lirie.

Dy të akuzuar, Velko Koriçanin dhe Milan Ivanoviç, u shpallën të pafajshëm.

Sipas aktakuzës, të gjithë të dënuarit ishin pjesëtarë të një njësie të njohur si "Çakajtë”. Në shkurt të vitit 2014 të nëntë personat u dënuan me gjithsej 106 vjet heqje lirie. Ata ngarkoheshin për vrasje, përdhunime, shkatërrim dhe plaçkitje të pronës së shqiptarëve, dhe dëbimin e popullatës civile për në Shqipëri. Sipas aktakuzës, viktima më e re e këtyre krimeve ishte 19 vjeç ndërsa më e vjetra 87 vjeç.

Akuza kundër tyre ishte ngritur në shtator të vitit 2010 dhe në të thuhej se pjesëtarët e këtij njësiti “janë treguar skajshmërisht të dhunshëm dhe të pamëshirshëm, ndërsa kanë djegur më pas trupat e viktimave për të penguar identifikimin e tyre".

Në vitin 2015, gjykata e apelit në Beograd riktheu procesin në fillim.

Gjykata e Lartë tha të mërkurën se edhe vendimi i sotëm mund të apelohet.

Veprimtarja Natasha Kandiç, themeluese e Fondit për të Drejtën Humanitare, tha pas vendimit të së mërkurës se “ndjenja ime, pas 14 vjetësh që nga nisja e gjykimit për vrasjen e civilëve në Qyshk, Zahaq, Lubeniq dhe Pavlan, është se jeta e njeriut nuk është e rëndësishme në procedurat gjyqësore”.

Mbi 10 mijë veta janë vrarë gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë e cila mori fund me ndërhyrjen e trupave të NATO-s për t’i dhënë fund shtypjes së shqiptarëve nga forcat serbe. Edhe më tej nuk dihet asgjë për fatin e rreth 1 mijë e 600 personave, pjesa më e madhe e tyre të përkatësisë kombëtare shqiptare.

Nëntë vjet pas luftës, Kosova shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore, ndërsa vazhdon të kundërshtohet nga Serbia dhe aleatja e saj, Rusia.

XS
SM
MD
LG