Lidhje

Ngritja dhe rënia e Millosheviçit


Ish Presidenti i Sërbisë dhe Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, i cili u gjet i vdekur sot në qendrën e izolimit të Gjykatës së Hagës, ishte i pari kryetar shteti që doli para gjykatës së Kombeve të Bashkuara për krimet e luftës. 64-vjeçari Sllobodan Millosheviç po gjykohej në Hagë që nga shkurti i vitit 2002 për më shumë se 60 akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në konfliktet ballkanike.

Millosheviçi doli si një forcë udhëheqëse në politikën sërbe nën flamurin e nacionalizmit serb. Si burokrat i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, ai tërhoqi veçanërisht vemendjen kombëtare më 24 prill të vitit 1987 gjatë një vizite në Kosovë ku u tha një turme serbësh që po ankoheshin se po keqtrajtohehsin nga policia se askush nuk kishte të drejtën t’i rrihte.

Dy vjet më vonë, më 1989, Asambleja Kombëtare e Serbisë e zgjodhi atë President të Republikës së Serbisë.

Më 28 qershor të po atij viti, Millosheviçi mbajti një fjalim në Fushë Kosovë me rasitn e 600 vjetorit të Betejës së Kosovës ku tha se serbët ishin përfshirë përsëri në beteja, megjithëse të paarmatosura, nuk duhet të mospërfilleshin. Ky fjalim i Millosheviçit është konsideruar gjerësisht si fillimi i fushatës nacionaliste serbe, që do të shërbente si elementi nxitës në luftrat e Jugosllavisë disa vjet më pas.

Millosheviçi mbahet përgjegjes për luftrat në Ballkan në vitet 90-të që u kushtuan jetën 200 mijë vetëve. Nën presionin e Shteteve të Bashkuara dhe Evropës, ai nënshkroi Marrëveshjen e Daytonit që i dha fudn luftës në Bosnje-Hercegovinë në vitin 1995.

Më 23 korrik të vitit 1997, Sllobodan Millosheviçi erdhi në postin e Presidentit të Jugosllavisë. Konflikti mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, nxitja e të cilit i atribuohet Millosheviçit, u shkallëzua dhe mori përmasat e luftës me ndërhyrjen e forcave sërbe gjë që solli eksodin e rreth një milionë shqiptarëve nga Kosova.

Në vitin 1999, sulmet ajrore të NATO-s e detyruan Millosheviçin të tërhiqte forcat nga jugosllave dhe sërbe nga Kosova.

Në vitin 2000, ai humbi në zgjedhjet presidenciale dhe në vitin 2001 u arrestua dhe iu dorëzua Gjykatës së Hagës. Pas transferimit në Hagë, akuzave fillestare kundër tij për krime lufte në Kosovë iu shtuan edhe akuzat për gjenocid në Bosnje dhe krimet e luftës në Kroaci.

Gjatë gjithë procesit gjyqësore ai këmbënguli të vetmbrohej dhe nuk kërkoi asnjëherë të falur për veprimet e tij. Gjyqi i tij 4-vjeçar u ndërpre disa herë për shkak të problemeve shëndetësore.

XS
SM
MD
LG