Lidhje

Bamirësia në Shtetet e Bashkuara – roli i klasës së mesme


Perceptimi për bamirësinë në Amerikë, është ai i njerëzve shumë të pasur që dhurojnë para për çështje humanitare, nëpërmjet fondacioneve jo-fitimprurëse. Por sipas një studimi të Qendrës për Bamirësinë në Universitetin e Indianës, klasa e mesme amerikane jep 59 për qind të të gjitha fondeve që përdoren për këtë qëllim. Shumë njerëz besojnë se individët e motivuar kanë një ndikim shumë më të madh se sa fondacionet e korporatave gjigante në zgjidhjen e problemit të varfërisë. Në vazhdim do t’ju njohim me një filantrop jo të zakonshëm, i cili nuk ka pasuri të madhe, por që i ndihmon shumë të varfërit.

Në Uashington, vetëm disa rrugë larg ndërtesës së kongresit amerikan, organizata DC Central Kitchen u ofron njerëzve një shans të dytë në jetë, duke i ushqyer falas. Xherald Tomas ka 6 vjet që angazhohet. “Unë dikur isha tepër i dhënë pas alkoolit”.

Tani Tomas punon si kuzhinier dhe u mëson edhe të tjerëve të gatuajnë. “Ne ndihmojmë komunitetin, u japim njerëzve të varfër një tjerër shans, i ndihmojmë ata që nuk ka kanë patur fat, të bëhen pjesë e shoqërisë”.

DC Central Kitchen u krijua nga Robert Iggers, tani presidenti i saj, i cili në fakt nuk fiton shumë, por punon nga zyra e tij e vogël brenda ndërtesës. 17 vjet më parë, atij i lindi kjo ide, kur doli vullnetar me një grup që u jepte ushqime të pastrehëve. “Unë vazhdimisht mendoja se duhet të ketë një mënyrë më të mirë për të ushqyer të varfërit. Restorantet dhe hotelet hedhin sasi të mëdha ushqimesh. A nuk do të ishte më mirë, që në vend që të blejnë ushqime, fondacionet t’i grumbullojnë ushqimet e mbetura në vende të caktuara? Në këtë mënyrë do të ushqeheshin më shumë njerëz, por në të njëjtën kohë, të pastehëve t’u ofrohej edhe një mundësi për të mësuar se si të bëjnë punë të ndryshme”.

Sot, DC Central Kitchen përdor më tepër se një ton ushqime që teprojnë çdo ditë, të cilat nëse nuk shfrytëzohen do të hidheshin. Ajo përgatit mbi 4 mijë racione dhe u siguron kurse kualifikimi shumë njerëzve që konsideroheshin si të papunë. Ky program ka tërhequr edhe një numër të madh vullnetarësh nga i gjithë vendi, siç është edhe Meri Kejt Ruth dhe grupi i kishës së saj nga shteti i Karolinës së Jugut. “Ne donim të provonim se si është jeta jashtë qytetit tonë të vogël në Karolinën e Jugut dhe të shohim se si mund të ndihmojmë në pjesë të tjera të vendit”.

Megjithë suksesin, Igger thotë se organizata e tij nuk përbën zgjidhje për sistemin ekonomik, që sipas mendimit të tij, detyron një numër të madh njerëzish të jetojnë në varfëri për shkak të pagave të ulëta dhe mungesës së shërbimit shëndetësor. “Nëse një njeri përpiqet shumë, atëhere përse të mos jetë ai në gjendje të ketë ushqim të mjaftueshëm dhe shtëpi? Unë nuk jam thjesht i interesuar që të kemi një kuzhinë më të madhe se kjo, por dua që ajo të funsksionojë edhe më mirë”.

Igger gjithashtu ka kritika për filantropët tradicionalë, shumë të pasur. “Modeli i bamirësisë bazohet tek modeli i Rokfelerit apo Karnegi-së, të cilët ishin filantropë të mëdhenj, që pasurohen shumë dhe në fund të jetës, dhurojnë para. Por kjo, ndonëse duket diçka e mirë, mendoj se nuk do të kishte shumë rezultat”.

Zoti Igger thotë se kur konsumatorët të ushtrojnë fuqinë e tyre, duke këmbëngulur dhe kërkuar që kompanitë e ndryshme t’u sigurojnë paga të mjaftueshme dhe shërbim shëndetësor punonjësve të tyre, një numër organizatash jo-fitimprurëse, si DC Central Kitchen nuk do të jenë më të nevojshme. //az//

XS
SM
MD
LG