Lidhje

Kryeministri Rama në Preshevë


Serbia Albania
Serbia Albania

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha të martën se me gjithë dallimet e thella me Serbinë, tashmë është hapur një faqe e re historie mes dy vendeve dhe është marrë përsipër përgjegjësia që të mos lejohet më që gjenerata e re e shqiptarëve, por edhe e serbëve, të trashëgojnë traumat dhe pasojat traumatike të së shkuarës.

Ai i bëri këto komente gjatë vizitës në luginën e Preshevës, një zonë e banuar me shumicë shqiptare në pjesën jugore të Serbisë.

Pllakate të mëdha me mbishkrimin “Mirë se vjen kryeministër”, janë vendosur nëpër rrugët e Preshevës, prej nga forcat e policisë serbe kanë hequr flamujt kombëtar shqiptar që ishin vendosur të hënën nga autoritetet lokale.

Kryeministri Rama u takua me udhëheqësit lokal në Preshevë ku u nderua me titullin Qytetar nderi. Ai i siguroi qytetarët e mbledhur për ta pritur në Preshevës se qeveria e tij nuk do të “rresht së punuari për rilindjen e Shqipërisë dhe për rilindjen e shqiptarëve kudo që jetojnë”.

Ai tha se nuk sheh asnjë arsye që shqiptarët e Luginës të mos kenë të drejtat e njëjta sikurse edhe serbët në veriun e Kosovës. Duke i cilësuar pakicat kombëtare si ura lidhëse mes vendeve, kryeministri tha se “për të qenë evropianë deri në fund, nuk mjafton të flasim gjuhën e Brukselit, por duhet t'u jepet mundësia pakicave që lirisht të mësojnë gjuhën e tyre".

Ai tha se shteti shqiptar ka detyrim kushtetues, për të qenë i angazhuar në mënyrë të vazhdueshme që duke forcuar dialogun dhe bashkëpunimin me Serbinë, të forcojë pozitën e vet për të mbrojtur dhe për të mbështetur aspiratat e të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Serbi.

Në Shqipëri dhe Kosovë ka modele të admirueshme të bashkëjetesës, ka modele të admirueshme të respektit për liritë dhe të drejtat e minoriteteve dhe me këtë krenari, por duke u nisur nga vetja, ne kemi të drejtën të kërkojmë të njëjtën gjë nga tjerët. Duhet të jeni të gjithë krenarë, sepse atë që duam për veten tonë, nuk ia mohojmë tjetrit. Por, ama, atë që i japim tjetrit, asnjë tjetër nuk mund të na e mohoj neve”, theksoi kryeministri Rama

Ai tha se me Beogradi është arritur marrëveshje për njohjen e ndërsjellë të diplomave të të dyja vendeve, ndërsa u zotua për shtimin e numrit të studentëve nga Lugina e Preshevës që mund të ndjekin studimet në Tiranë.

Ai u përplas të hënën me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç për shkak të Kosovës. Mikpritësi serb e cilësoi si provokim deklaratën e kryeministrit Rama se "pavarësia e Kosovës është realitet i pamohueshëm, i cili duhet respektuar si i tillë” dhe se “pavarësia e Kosovës e ka bërë Ballkanin më të qëndrueshëm”.

Kryeministri Rama tha se “shqiptarët nuk kanë kërkuar kurrë, diçka që i takon tjetrit, sepse shqiptarët nuk kanë rënë kurrë në kurthin e nacionalizmit, i cili e bën njeriun të verbër për të hapur luftëra, jo për lirinë e vet, por për të mos e lënë tjetrin të lirë. Dhe sepse shqiptarët, kanë ditur, instinktivisht, si komb, që të dallojnë rrugën qorre të nacionalizmit primitiv, me rrugën e patriotizmit evropian”.

Ai u tha qytetarëve të Preshevës se shqiptarët sot janë në pozitën më të mirë në historinë e tyre, dhe “kjo ka ardhur si rezultat i të qenit njerëz të besës, me aleatët tanë të mëdhenj strategjik, me Shtetet e Bashkuara dhe me Bashkimin Evropian”.

Vizita e zotit Rama në Beograd shënon të parën të një udhëheqësi shqiptar në Serbi që prej 68 vjetësh, ndërsa është zyrtari i parë i nivelit të lartë në gjithë historinë që viziton luginën e Preshevës.

Udhëheqësit politik të Luginës thonë se situata vazhdon të jetë e paqëndrueshme që nga viti 2001 kur mori fund konflikti ndërmjet forcave qeveritare serbe dhe kryengritësve të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës e Bujanocit që luftonin për më shumë të drejta të shqiptarëve në atë zonë.

XS
SM
MD
LG