Lidhje

Aleatët të indinjuar për përgjimet


Gjermania po dërgon në Uashington zyrtarë për të diskutuar akuzat për përgjimin e celularëve gjermanë nga Shtetet e Bashkuara, përfshirë celularin e Kancelares Angela Merkel. Gazeta gjermane Bild am Sonntag citon sot Ministrin e Brendshëm Hans-Peter Friedrich, të thoshte se akuzat kanë tronditur besimin e Berlinit tek Uashingtoni. Ai i tha gazetës se “nëse amerikanët kanë përgjuar komunikimet në celularë në Gjermani, ata kanë shkelur ligjin gjerman” dhe se kjo do të ishte “një shkelje e papranueshme e sovranitetit gjerman”.

Aleatët e Uashingtonit kanë shprehur indinjatën pas njoftimeve për përgjime dhe disa udhëheqës evropianë kanë bërë thirrje që të merren masa për kufizimin e përgjimeve amerikane.

Kancelarja gjermane thotë se besimi mes Gjermanisë dhe aleatit të saj të ngushtë, Shteteve të Bashkuara duhet rivendosur.

"Besimi duhet rivendosur. Kjo do të thotë se besimi është tronditur rëndë dhe anëtarët e Këshillit të Evropës e kanë shprehur këtë shqetësim sot”.

Zonja Merkel thotë se disa zyrtarë gjermanë duan shtyrjen e bisedime me Uashingtonin për tregtinë.

Edhe Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka kritikuar hapur mbledhjen e tabulateve telefonike dhe të email-it nga NSA-ja.

"Ka disa sjellje dhe praktika që nuk mund të pranohen. Ne këtë rast Franca dhe Gjermania do të marrin iniciativën dhe do ta diskutojnë çështjen me amerikanët, me qëllim që të bien dakord për një praktikë të përbashkët. Kjo do të bëhet nga fundi i vitit".

Nuk janë vetëm aleatët evropianë kundër pëgjimeve. Ish kontraktori i NSA-së, Edward Snowden, ka nxjerrë dokumente sekrete që tregojnë se celularët e rreth 35 udhëheqësve botërore janë përgjuar.

Presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff, anulloi vizitën e saj shtetërore në Uashington dhe kritikoi Shtetet e Bashkuara në fjalimin që mbajti në Shtetet e Bashkkuara në shtator.

"Siguria e qytetarëve të një vendi nuk duhet garantuar duke shkelur të drejtat civile dhe të njeriut që janë themelore për qytetarët e vendeve të tjera”.

Brazili thotë se po harton sëbashku me vende të tjera, një rezolutë në Kombet e Bashkuara për të garantuar privatësinë e komunikimit elektronik të njerëzve.

Shumë vende përgjojnë njeri tjetrin, por kjo situatë është e pazakontë, thotë Scheherazade Rehman, drejtore e Qendrës së Bashkimit Evropian të Universitetit George Washington.

"Këto gjëra ndodhin mes vendeve, por mendoj se publikimi kaq i madh i tyre është indinjues për shumicën e vendeve”.

Rehman nuk parashikon ftohje për një kohë të gjatë të marrëdhënieve të Shteteve të Bashkuara me aleatët dhe thotë se NSA duhet të ndryshojë disa nga praktikat e saj.

"Mendoj se përgjimi i personave të caktuar dhe jo mbledhja në përgjithësi e informacionit, është ajo që duhet diskutuar”.

Drejtori i NSA-së, Keith Alexander, tha kohët e fundit se pavarësisht nga kundërshtimet e publikut, shumë aleatë të Shteteve të Bashkuara e mirëpresin mbledhjen e informatave të zbulimit/

"Ajo që më thuhet mua është: ‘Vazhdoni të punoni me ne. Të dhënat që ju na jepni për të mbrojtur vendin tonë janë ato që na duhen’”.

Megjithatë, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Jen Psaki, pranoi të premten se çështja e përgjimeve i ka komplikuar marrëdhëniet e amerikës me Aleatët.

"Ajo ka krijuar sfida të mëdha në marrëdhëniet me disa nga partnerët tanë dhe natyrisht, reagimin e pulikut, siç e keni parë gjatë disa ditëve të fundit”.

Sfidat në këto marrëdhënie do të jenë problematike edhe për ligjvënësit në Uashington, të cilët nuk duan të heqin dorë nga asnjë armë në luftën kundër terrorizmit.
XS
SM
MD
LG