Lidhje

Juncker: bashkëpunim për krizën e imigrantëve


Shefi i Komisionit Evropian ka kërkuar një takim urgjent të BE-së dhe udhëheqësve të vendeve të Ballkanit, ndërsa imigrantët që largohen nga Lindja e Mesme dhe Afrika vazhdojnë të vërshojnë në Ballkanin perëndimor.

Jean-Claude Juncker tha se është i nevojshëm një bashkëpunim më i madh mes vendeve që po përballen me krizën e imigrantëve. Ai tha se ka ftuar krerët e 10 vendeve, përfshi vendet jo-anëtare të BE-së, Maqedoninë dhe Serbinë të takohen në Bruksel të dielën për të planifikuar një strategji. Ndërkohë mijëra azil-kërkues kanë hyrë në Slloveni që nga e shtuna, duke e detyruar vendin të përballet me një rritje të fluksit të refugjatëve në kufirin jugor.

Autoritetet sllovene thanë se të paktën 4,000 imigrantë, përfshi foshnje dhe fëmijë, kanë hyrë nga Kroacia pasi rreth 8 mijë të tjerë mbërritën të hënën.

Presidenti slloven Borut Pahor tha se në kufirin me Kroacinë do të dërgohen policë shtesë dhe se ai është gati të miratojë dislokimin e ushtrisë sllovene për të përballuar fluksin e madh të imigrantëve.

Pas takimit dje me presidentin e Këshillit Evropian Donald Tusk dhe presidentin e Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker në Bruksel, zoti Pahor tha se Bashkimi Evropian është gati t’i japë vendit të tij ndihmën për të përballuar krizën:

"Unë nuk kam autoritetin e kryeministrit por kuptova nga presidentët e Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian se BE-ja do të plotësojë kërkesën e mundshme nga Sllovenia për të dërguar forca policore të shteteve anëtare të BE-së në kufirin Slloveni-Kroaci. BE-ja do të miratojë gjithashtu ndihmë financiare për ne. Të dyja këto duan kërkesë zyrtare. Unë informova kryeministrin tonë rreth kësaj dhe me sa kuptoj ai po punon për ta bërë këtë shumë shpejt."

Sllovenia, një vend i vogël me 2.2 milion banorë ka akuzuar Kroacinë se ka transportuar një numër të madh azil-kërkuesish pa u konsultuar.

Megjithatë, ministri i brendshëm kroat Ranko Ostojic tha të martën se Kroacia ka kërkuar të kalohen tranzit gjysma e refugjatëve përmes Sllovenisë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG