Lidhje

Siguria në kompanitë ajrore koreano-jugore

  • Carolyn Pressuti

Një ekip hetuesish nga Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit dhe nga Agjencia Federale e Aviacionit qëndruan 10 ditë në Seul të Koresë së Jugut për t’u takuar me zyrtarë të firmës ajrore Asiana dhe për të parë mjediset e tyre të punës. Ky ekip po heton përplasjen në muajin korrik të aeroplanit Boing 777 të kësaj firme në San Francisko, ku gjetën vdekjen 3 veta dhe u plagosën më shumë se 180 të tjerë. Jo vetëm linja ajrtore Asiana por gjithë linjat koreano-jugore mund të kenë probleme të vjetra me sigurinë.

Në një ditë korriku me diell, fluturimi me numër 214 i kompanisë Asiana iu afrua aeroportit të San Franciskos tepër ulët, duke shkaktuar aksident. Bordi Kombëtar i Sigurisë së Transportit po heton aksidentin. Drejtoresha e këtij bordi Deborah Hersman:

“Fluturimi 214 i firmës Asiana njoftoi se e shikonte aeroportin dhe pilotëve iu dha leje ta ulnin aeroplanin duke zbatuar praktikën vizuale”.

Praktika vizuale do të thotë që piloti ta kryejë uljen pa përdorur sistemin e sofistikuar të avionit Boing 777 për ulje automatike.

Ekspertët e aviacionit thonë se duke përdorur vetëm sistemin automatik për ulje, shtohen rreziqet dhe konfuzioni në rastet kur pilotët janë të detyruar ta komandojnë aeroplanin në mënyrë manuale.

“Një aksident i tillë mund të ndodhte në çdo moment pas vitit 2000”.

Vic Hooper ka komanduar aeroplanë të firmës Asiana deri në vitin 2011. Si kapiten i të njëjtit lloj aeroplani 777, që u përplas në San Francisko, ai punoi me shumë bashkë-pilotë që nuk ishin në gjendje të ulnin aeroplanin duke e komanduar vetë, pa ndihmën e sistemit automatik.

“Unë po e shtyja një pilot që ta ulte aeroplanin në mënyrë manuale, diçka që ai nuk donte ta bënte. I thashë se i duhet kjo praktikë, ndërkohë që ai insistonte se nuk i duhej ta kryente këtë lloj uljeje. Kur e provoi ta bënte, ai e uli aeroplanin para se të ulte shpejtësinë në nivelin e duhur”.

Kapiteni Hooper mori nën kontroll aeroplanin dhe e uli atë të sigurtë.
Agjencia Federale e Aviacionit, i tha Zërit të Amerikës se ajo i ka ndaluar përkohësisht pilotët e huaj që t’i ulin në mënyrë manuale aeroplanët në San Francisko. Agjencia e mori këtë vendim pasi vuri re një shtim të rasteve kur pilotë të huaj, që përpiqeshin ta ulnin avionin pa ndihmën e sistemit automatik, nuk ia dilnin dot me provën e parë. E njejta gjë u përsërit me një avion tjetër të firmës Asiana, më pak se 2 javë pas aksidentit të aeroplanit 777.

Si pasojë e këtij aksidenti, vetë kompania Asiana ka vendosur t’i ndalojë përkohësisht pilotët ndihmës që të kryejnë ulje të aeroplanëve në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë, ndërkohë që gjetkë, ata mund ta kryejnë uljen vetëm në kushte të favorshme atmosferike.

Zyrtari përgjegjës për sigurinë e fluturimeve në Korenë e Jugut, Kwon Yong-bok, thotë se vizita e fundit e hetuesve amerikanë në selinë e kompanisë Asiana u përqëndrua në trajnimin e pilotëve si dhe në mirëmbajtjen e aeroplanëve 777. Ai tha se hetuesit duhet të hetojnë edhe gjendjen në aeroportin e San Franciskos.

“Aeroporti ka miratuar uljen manuale dhe kjo në vet-vete pasqyron faktin se ky aeroport është i vështirë për uljen e aeroplanëve. Në vend të autoriteteve të aviacionit, kompanitë ajrore duhet të ofrojnë trajnime si për uljet manuale edhe për ato të automatizuara”.

Zëri i Amerikës pyeti zotin Park Jong-kook, drejtorin ekzekutiv të Shoqatës së Pilotëve të Kompanive Ajrore Koreane, rreth trajnimit që marrin pilotët për uljet e simuluara të avionëve në mënyrë manuale.

“Është vështirë të thuhet nëse ky trajnim është i mjaftueshëm apo jo, sepse ne bëjmë ulje manuale një herë në 6 muaj”.

Ekspertët e aviacionit thonë se ndryshimi ekziston në faktin se kompani të tjera ajrore e praktikojnë uljen manuale edhe në aeroporte dhe jo vetëm me simulatorë. Burimet thonë se pilotët e aeroplanëve të firmës Asiana vazhdimisht i kundërshtonin ofertat e kullave të fluturimit për të bërë ulje manuale.

“Ata mbështeten në uljen e kontrolluar sepse janë të shqetësuar rreth punësimit dhe suksesit të tyre”.

Madje pilotët thonë se kontrolluesit e trafikut ajror hezitojnë të miratojnë uljet manuale deri sa të mësojnë se cili pilot do ta kryejë atë.

“U thashë që kemi karburant vetëm për 23 minuta”.

Ky ish pilot i kompanisë Asiana, që ne do ta quajmë “George”, thotë se një kontrollor i trafikut ajror amerikan i bëri atij disa pyetje të koduara për të përcaktuar nëse “George” ishte amerikan dhe vetëm pasi u sigurua, i dha leje të kryente ulje manuale.

“Pilotët anglisht-folës ose që e flasin mirë anglishten e njoftojnë kullën e kontrollit të fluturimeve për këtë dhe ata komunikojnë shumë më mirë”.

Në vitet 1990-të industria e fluturimeve ajrore e Koresë së Jugut u përball me shumë aksidente. Në vitin 2001, Agjencia Federale e Aviacionit e uli Korenë e Jugut në kategorinë numër 2 për sa i përket sigurisë së fluturimeve ndërkombëtare, por nga fundi i atij viti Koreja e Jugut mori masa për të përmirësuar sigurinë dhe ky vend u rikthye në kategorinë numër 1.

Gjatë kësaj kohe, Jim Hall ishte drejtor i Bordit Kombëtar të Sigurisë së Transportit dhe kërkoi zhvillimin e hetimeve rreth sigurisë ajrore në Shtetet e Bashkuara. Zëri i Amerikës i tregoi atij shembuj të kohëve të fundit të firmave Asiana dhe Korean Air mbi hapësirën ajrore të Kanadasë, si pengesa gjuhësore, fluturime në lartësi të gabuara, mos zbatimi i urdhërave të kontrollit të trafikut dhe shmangie e planeve të fluturimit. Zoti Hall ka kërkuar hetime të tjera.

“Për të parë nëse ky ishte një incident i vetëm apo kemi të bëjmë me një prirje. Përse hapat që u morën më parë po rishfaqen përsëri në aksidente fatale si ai në aeroportin e San Franciskos”.

Bordi Kombëtar për Sigurinë e Transportit nuk komenton lidhur me hetimet, që nuk kanë përfunduar, ndërkohë që kompanitë ajrore Asiana dhe Korean Air po përpiqen të marrin masa për sigurinë e aviacionit dhe për të përmirësuar imazhin e tyre në fluturimet ndërkombtare.
XS
SM
MD
LG