Lidhje

“Zgjerimi i gjelbër” i Kopshtit Botanik të Atlantës


“Zgjerimi i gjelbër” i Kopshtit Botanik të Atlantës
“Zgjerimi i gjelbër” i Kopshtit Botanik të Atlantës

I njohur në Shtetet e Bashkuara për koleksionin e tij të madh të orkideve, Kopshti Botanik i Atlantës po punon tani për një projekt të gjelbër që do ta vërë atë në krye të të gjitha kopshteve botanike të botës. Kjo strukturë transparente, e mbushur me dritë natyrale, pritet të jetë një nga pikat turistike më tërheqëse të Atlantës.

Kopshti Botanik i Atlantës e ka emërtuar projektin “Zgjerimi i gjelbër” që e rendit këtë objekt si një nga destinacionet më popullore në Atlanta, siç shpjegon drejtoria ekzekutive Mary Pat Matheson.

“Nëse i hedhim një vështrim kujdesit tonë për bimët, ne jemi duke bërë shumë gjëra që janë të mira për mjedisin dhe shumë të gjelbra. Ne gjithmonë kujdesemi për ujin dhe e përdorim atë me kursim”.


Kjo është hyrja në Qendrën e Vizitorëve, e certifikuar si shembull në projektet e energjisë dhe mjedisit. Një strukturë transparente, e mbushur me dritë natyrale, ajo është e veshur me xham izolues dhe dru të siguruar nga burimet vendore. Rreth 50 përqind e çatisë së qendrës është ndërtuar me teknologjinë e gjelbër dhe e veshur me një membranë të padepërtueshme nga uji, me një shtresë dheu 45 centimetra e mbjellë me bar dhe bimë të gjelbra.

“Kjo është një strukturë shumë e mirë për çdo projekt për t’i bërë ndërtesat më të gjelbra. Xhami është një material i mirë izolues për ndërtesat, madje edhe materialet që ne përdorim janë të riciklueshme. Vizitorët këtu mund të mësojnë se çfarë mund të bëjnë në shtëpi ose në komunitete të tjera”.

Gjatë fazës së ndërtimit të Kopshtit Botanik në Atlanta, punëtorët u kushtuan rëndësi pesë aspekteve kryesore për shëndetin e njerëzve dhe mjedisin: qendrueshmërisë së vendit të ndërtimit, efiçencës së energjisë, zgjedhjes së materialeve, standardit të mjedisit të brendëshëm dhe ajo që është më e rëndësishme në Xhorxhia, kursimit të ujit. Edhe pemët që u prenë për të hapur vendin e ndërtimit u ricikluan.

Për të ndihmuar në kursimin e ujit, nën parkun e makinave u instalua një cisternë me kapacitet 400 mijë litra që mbledh ujin e shiut dhe shërben për vaditjen e 40% të kopshteve të reja. Ky është pak a shumë një liqen nëntokësor dhe duhen vetëm 30 milimetra shi për ta mbushur atë në kapacitet të plotë.

Kujdestarët e Kopështit dhe projektuesit besojnë se hyrja atje është lehtësuar me ndërtimin e një shtegu, ekologjikisht miqëror, këmbësorësh.

“Vizitori mund të shëtisë nëpër Kopësht dhe të mësojë për arkitekturën e gjelbër, po ashtu për hortikulturën e gjelbër, për riciklimin e materialeve, madje edhe mobiljet këtu janë prej materiali të ricikluar, ndërsa boja është me përqindje të ulët kimikatesh që të mos çlirojë ndotës brenda vetë ndërtesës”.

“Zgjerimi i gjelbër” përfshin edhe atë që quhet “shtegu i pemëve”, i pari konstruksion i tillë në Shtetet e Bashkuara. Me një lartësi rreth 13 metrash dhe gjatësi 200 metra, shtegu i pemëve ka të ngjarë të bëhet një ikonë më vete e qytetit të Atlantës, një rrugë e gjelbër në një mjedis të gjelbër.

*Marrë nga USA Green Stories

XS
SM
MD
LG