Lidhje

Përkujtohet në Hong Kong masakra e Sheshit Tiananmen


Kjo javë shënon përvjetorin e 23-të të protestës

Kjo javë shënon përvjetorin e 23-të të masakrës së Sheshit Tiananmen. Për shkak të lirive sociale dhe politike që Hong Kongu gëzon si një rajon i veçantë administrativ i Kinës, qyteti mbetet një djep për aktivistët e demokracisë që kërkojnë të ruajnë frymën e protestave studentore të vitit 1989, megjithë ndikimin në rritje të Pekinit mbi ish koloninë britanike.

Më 4 qershor 1989, lëvizja studentore pro demokracisë në sheshin Tiananmen u shtyp nga ushtria kineze. Njëzet e tre vjet më vonë, simboli i lëvizjes për demokraci të Kinës vazhdon të mbijetojë në Hong Kong.

I hapur në prill nga Aleanca në Mbështetje të Lëvizjeve Patriotike Demokratike në Kinë, ky është muzeu i parë në botë i dedikuar kujtimit të masakrës së sheshit Tiananmen. Deputeti Lee Cheuk-yan është bashkë-kryetar i Aleancës pro-demokracisë.

"Ne shpresojmë që objektet të ndihmojnë vërtetë në përcjelljen e emocioneve tek të gjithë ata që vizitojnë muzeun, kështu që të mund të kuptohet se çfarë ka ndodhur dhe në mënyrë që të vazhdojnë përpjekjet për demokraci dhe për të drejtat e njeriut në Kinë."

Qeveria kineze ndalon diskutimin e shtypjes në sheshin Tiananmen. Por, zoti Lee thotë se, disa prej 30 milionë turistëve nga Kina kontinentale që vizitojnë Hong Kongun tani vijnë çdo vit në muze për të mësuar më shumë.

"Sigurisht, Kina nuk do të lejojë kurrë që fjalët “4 Qershor” ose “Masakra e Sheshit Tiananmen” të shfaqen në internet, dhe kjo mund të jetë me të vërtetë një pikë kryesore, me anë të së cilës kinezët e kontinentit mund të kuptojnë se çfarë ka ndodhur."

Ky muze është thjesht shembulli i fundit i lidhjeve unike të Hong Kongut me Lëvizjen e 4 Qershorit - një marrëdhënie që nis qysh në vitin 1989. Këtë javë, kompania teatrale “4 Qershori” do të verë në skenë një dramë, të quajtur Zogu i Verdhë.
Në ditët pas mësymjes në sheshin Tiananmen, aktivistë nga Hong Kongu ndihmuan studentët të iknin nga Pekini, duke shkuar në Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, përmes Hong Kongut. Programi sekret mbante emrin e koduar Operacioni Zogu i Verdhë. Ai u zhvillua për tetë vjet, deri në vitin 1997.

Pavarësisht lirive të Hong Kongut, realizimi i një drame mbi Sheshin Tiananmen nuk është diçka e lehtë, thotë drejtori Lo Ching-man.

"Kërkon të rezervosh një vend ku të luhet pjesa, por askush nuk të lejon. Dëshiron të vendosësh një reklamë në një autobus, por kompania e autobusit të thotë jo. Kuptohet që ka ndërhyrje, por nuk dihet se nga vjen. Kjo është me të vërtetë diçka e tmerrshme."

Sheena Yu ishte vetëm një foshnjë kur ndodhi ngjarja në Tiananmen. Ajo e konsideron 4 Qershorin gjithnjë e më të rëndësishëm për Hong Kongun, ndërkohë që kontrolli i Pekinit mbi këtë qytet rritet.

"Ata studentë në Sheshin Tiananmen, po mbronin vendin e tyre; dashurinë dhe besimin e tyre për të ardhmen - ata luftuan për atë qëllim dhe unë e vlerësoj sjelljen, veprimin, dhe pasionin e tyre."

Pothuajse një çerek shekulli më vonë, edhe pse dhuna në Sheshin Tiananmen është e ndaluar të kujtohet në territorin e Kinës, në Hong Kong shumë njerëz vazhdojnë për të nderojnë sakrificën e protestuesve të vrarë atë ditë.

XS
SM
MD
LG