Lidhje

Kuvendi i demokratëve: Pse u zgjodh Charlotte


Disa analistë thonë se zgjedhja e qytetit jugor për emërimin zyrtar të Presidentit Obama si kandidat, mund të mos ketë qenë ideale

Këtë javë, në Shtetet e Bashkuara, Partia Demokrate mban kuvendin kombëtar në qytetin jugor Charlotte të Karolinës së Veriut për të emëruar zyrtarisht Barak Obamën si kandidatin e saj për president në zgjedhjet e nëntorit. Partia vendosi ta mbajë kuvendin në Charlotte, duke menduar se kjo ishte një zgjidhje e logjikshme, por tani disa analistë thonë se kjo mund të mos jetë një zgjedhje ideale për demokratët.

Qyteti Charlotte i Karolinës së Veriut me 750,000 banorë ka çdo gjë për të cilën është i njohur jugu amerikan: akcentin jugor, ushqimet e fërguara të jugut dhe sharmin jugor.

"Ne kemi mikpritjen jugore dhe këtu ka shumë vende që mund të vizitosh. Jemi edhe një qytet shumë familjar”.

Charlotte është e njohur në botë për bananet Chiquita dhe për garat automobilistike NASCAR, ndërsa dikur ka qenë e njohur për ethet e arit. Në një farë mënyre, e tillë është edhe sot. Ajo është qendra e dytë më e madhe financiare e vendit pas Nju Jorkut, me banka që kanë asete prej më shumë se 2 trilion dollarësh.

Demokratët janë përpjekur ta etiketojnë biznesin e bankave të mëdha si diçka negative në fushatën e këtij viti. Për shembull, ata nuk pranuan para nga korporatat për financimin e këtij kuvendi. Por Partia Demokrate nuk arriti të sigurojë paratë e duhura dhe iu desh ta shkurtojë kuvendin e saj nga 4 në tri ditë. Presidenti Obama do ta mbajë fjalimin e pranimit të enjten në stadiumin e futbollit profesionit, i cili mban emrin e korporatës së dytë më të madhe financiare të Amerikës.

Për të shmangur përshtypjen se ka lidhje me këtë korporatë, demokratët po e quajnë stadiumin Bank of America stadiumi Panther, pra me emrin e ekipit të futbollit të këtushëm.

Në zgjedhjet e 2008-s zoti Obama fitoi me vështirësi në Karolinën e Veriut, duke u bërë demokrati i parë që fitonte në këtë shtet pas më shumë se 30 vjetësh. Ky shtet është mjaft i çmuar në këto zgjedhje. Ja ç’thotë Peter Brown, anketues i Universitetit Quinnipiac.

"Eshtë njëri nga ato shtete që, nëse fitohet nga presidenti, Mitt Romney nuk e merr dot Shtëpinë e Bardhë."

Anketat e fundit tregojnë se presidenti gëzon të njëjtën mbështetje në këtë shtet si edhe republikani Romney dhe kjo i shqetëson disa nga përkrahësit e tij më të fortë si Dwight Price.

"Mendoj se do të jetë shumë e vështirë. Në zgjedhjet e kaluara pjesmarrja e të rinjve ishte shumë e lartë. Shpresoj që edhe këtë herë do të jetë kështu por nuk jam i sigurt."

Të njëjtën gjë thonë edhe të tjerë. Niveli prej 9.6 përqind i papunësisë në Karolinën e Veriut është mbi mesataren e vendit. Guvernatorja demokrate e këtushme Beverly Purdue është mjaft jopopullore aq sa nuk do të përpiqet të rizgjidhet, ndërkohë që drejtori ekzekutiv i Partisë Demokrate për këtë shtet dha dorëheqjen për shkak të një skandali seksual.

Por qyteti Charlotte po i pret mirë të 35,000 njerëzit që marrin pjesë në këtë kuvend dhe demokratët shpresojnë se Karolina e Veriut do të bëjë të njëjtën gjë me zotin Obama në zgjedhjet e nëntorit.
XS
SM
MD
LG