Lidhje

Obama dhe Romney përballen të martën në debatin e dytë


Obama Romney Debate Graphic

Debati i tretë dhe i fundit zhvillohet javën tjetër në Florida

Me anketat që tregojnë se asnjëri nga kandidatët nuk ka epërsi në mbarë vendin, dhe avantazhe të ngushta në shtete të rendësishme, të dy fushatat kanë shprehur besim në prag të debatit. Zoti Romney ka qendruar në Boston duke u përgatitur. Presidenti Obama kaloi ditën e tretë dhe përfundimtare në Williamsburg të shtetit Virginia, i zhytur në përgatitje me këshilltarët dhe pjestarët e fushatës. Zyrtarët e përshkruajnë atë të qetë dhe energjitik, duke thënë se ai është gati të argumentojë me pasion se politikat e tij do të jenë më të mira për klasën e mesme se ato të zotit Romney. Të dy kampet publikuan reklama të reja. Reklama nga zoti Obama përfshinte përkrahësit që shprehnin besimin në politikat e tij ekonomike. Reklamat e zotit Romney kishin pjesë të shkëputura nga debati i parë presidencial.

Zyrtarët e fushatës së zotit Obama nuk pranuan të jepnin detaje se si përgatitjet e presidentit kanë ndryshuar nga ato të debatit të mëparshëm, për të cilin zoti Obama tha se kishte qënë një natë jo fort e mirë.

Analisti me Institutin Brookings Stephen Hess thotë se presidenti ka një shans për ta marrë veten nga interpretimi i dobët në debatin e parë.

“Debati i parë është shumë i rendësishëm që i takon historisë. Por ka patur raste të veçanta, si përshembull rimarrja e stafetës nga Ronald Reagan gjatë fushatës së dytë kur konkurronte përballë Walter Mondale. Në debatin e parë Reagan u paraqit dobët por e mori veten fuqishëm në debatin e dytë dhe fitoi me shumicë zgjedhjet.”


Fushatat po përqendrohen në shtete të rendësishme si Ohio. Asnjë republikan në histori nuk ka fituar presidencën pa fituar Ohio-n. Anketat tregojnë se zoti Obama kryeson në atë shtet.

Zonja e Parë Michelle Obama foli të henën në Ohio rreth asaj që ajo e quajti bindje të bashkëshortit të saj. Në Pennsylvania, Ann Romney tha se debati i fundit u dha amerikanëve një pamje të pafiltruar të bashkëshortit të saj.

“Dëgjuan dhe panë se sa i gatëshëm dhe i përgatitur është një njeri për të drejtuar këtë vend.”


Michelle Obama.

“Ajo që më bëri të bie në dashuri me tim shoq ishte karakteri i tij. Mirësjellja dhe ndershmëria e tij është ajo që shohim tek ai çdo ditë si president, atë dhembshuri dhe bindje.


Analistët thonë se debati i dytë të martën do t’u ofrojë mundësinë të dy kandidatëve që të reagojnë në mënyrë spontane ndaj pyetjeve të pjesmarrësve në audiencë. Politkat me jashtë do të jenë në qendër të debatit të tretë dhe përfundimtar që zhvillohet javën tjetër në Florida.
XS
SM
MD
LG