Lidhje

Ish ambasadori William E.Ryerson uron shqiptarët për 100 vjetorin e Pavarësisë


Mes përshëndetjeve e festimeve këto ditë, një vend i rëndësishëm mirënjohejeje i është kushtuar Presidentit amerikan Woodraw Wilson, që shqiptarët e konsiderojnë si mbrojtësin e egzistencës së shtetit të tyre. Kjo mirënjohje është thelluar më tej sot me mbështetjen e Shteteve e Bashkuara për shpëtimin e Kosovës nga spastrimi etnik i regjimit të Millosheviçit dhe më pas duke u bërë mbështetësi kryesor i pavarësisë së saj. Shtetet e Bashkuara ishin po ashtu instrumentale në mbështetjen e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në NATO. Ndërsa Shqipëria feston më 28 Nëntor 100 vjetorin e pavarësisë, vetëm një javë më pas, më 4 dhjetor, mbushen 90 vjet nga vendosja e marrëdhënieve të para diplomatike me Amerikën në vitin 1922.

Ju ftojmë të ndiqni intervistën që kolegu Arben Xhixho zhvilloi me ambasadorin e parë amerikan në Shqipëri pas rënies së komunizmit, William Ryerson. Ambasadori Ryerson shërbeu nga dhjetori i vitit 1991 deri në tetor të vitit 1994.



Zëri i Amerikës: Ambasador Ryerson, ju faleminderit që erdhët. Ju ishit ambasadori i parë amerikan që shërbeu në Shqipëri pas ndërprerjes së gjatë të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve. Shqipëria kremton këtë vit 100-vjetorin e pavarësisë. Çfarë mendoni për Shqipërinë në këtë përvjetor?

William Ryerson: Kam shumë mendime, por do ta filloj kështu: më në fund u realizua. Një gjë që do të veçoja është se Shqipëria tani ka vendin e saj atje ku duhet të ishte, në NATO. Lexoj për përparime ekonomike që janë bërë por edhe që nuk janë bërë, çka është për të ardhur keq. Por unë do të shkoj në Shqipëri për 100-vjetorin dhe shpresoj të shikoj me sytë e mi se si po shkojnë gjërat.

Zëri i Amerikës: Pak ditë pas 100-vjetorit të pavarësisë, më 4 dhjetor është 90-vjetori i vendosjes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve në vitin 1922. Në vitet pas komunizmit, Shtetet e Bashkuara kanë qenë vazhdimisht një mbështetëse e fuqishme e Shqipërisë, aq sa disa vëzhgues thonë se Shqipëria nuk do të kishte hyrë në NATO po të mos kishte përkrahjen amerikane dhe as Kosova nuk do ta kishte pavarësinë po të mos ishte Amerika. Ku e kanë burimin këto marrëdhënie të veçanta mes Shqipërisë së vogël dhe Amerikës.

William Ryerson: Është një njeri i quajtur Woodrow Wilson. Siç e dini, ai ka meritën që Shqipëria vazhdoi të ishte në hartën e Evropës në Konferencën e Paqes në Paris. Ndikimi i kësaj u shtri në Jugosllavi, që vërtet është vendi i sllavëve të jugut, por siç e dimë shumë mirë, shqiptarët e Kosovës nuk janë sllavë. Kjo na shtyn përsëri të kujtojmë atë që bëri Wilsoni, te këmbëngulja e tij që Shqipëria të vazhdonte të ishte në hartë dhe të vazhdonte të ekzistonte.

Zëri i Amerikës: Para pak ditësh, Sekretarja amerikane e Shtetit Clinton ishte në Shqipëri dhe gjatë vizitës u bëri thirrje udhëheqësve të atjeshëm politikë lidhur me dy gjëra: që zgjedhjet e vitit të ardhshëm të jenë të lira e të drejta dhe që të luftojnë korrupsionin. Ajo tha se korrupsioni është një kërcënim real për pavarësinë e Shqipërisë. Mendoni se Shqipëria mund t’i kapërcejë këto dy probleme që vazhdojnë të përsëriten?

William Ryerson: Shpresoj se po. Por varet nga vetë shqiptarët për ta bërë këtë. Këtë nuk do ta bëjë për ta Sekretarja Clinton dhe as ndonjë njeri tjetër. Por kjo duhet filluar nga dikush. Duhet që ai dikushi të thotë i pari: Jo, nuk do ta paguaj rryshfetin. Kjo mund ta dëmtojë atë njeri, por nëse shumë njerëz veprojnë kështu njëherësh, atëhere korrupsioni do të mund të luftohet. Kjo do të varet nga vetë shqiptarët. Sekretarja Clinton ka të drejtë; korrupsioni është një rrezik për pavarësinë e Shqipërisë.

Zëri i Amerikës: Pas kësaj që thatë kam një pyetje tjetër. Shqiptarët kërkojnë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara dhe nga Bashkimi Evropian, aq sa ndonjëherë të krijohet përshtypja se udhëheqësit e atjeshëm politikë kanë krijuar një kulturë varësie tek të huajt për t’ua zgjidhur ata problemet. A e keni vënë re ju një problem të tillë?

William Ryerson: Gjithnjë ekziston një prirje e tillë në rastet e marrëdhënieve mes një vendi shumë të vogël dhe e partnerëve shumë të fuqishëm. Këtu kemi të bëjmë me një farë shmangie nga përgjegjësia nga ana e shqiptarëve, të cilët duhet ta marrin vetë këtë përgjegjësi. Mendoj se Sekretarja Clinton ka të drejtë në komentet e saj. Shpresoj dhe mendoj se shqiptarët mund ta marrin këtë përgjegjësi.

Zëri i Amerikës: Mendoni se 20 vjet kanë qenë mjaft në historinë plot ulje-ngritje të Shqipërisë, dhe se Shqipëria ka bërë sa duhet përsa i përket demokracisë?

William Ryerson: Ajo ka bërë shumë por do të shpresoja të kishte bërë më shumë. Për shembull greva e fundit e urisë nxori në pah një ndër problemet që ekziston përsa i përket përballjes me të kaluarën. Shumë njerëz në Shqipëri nuk duan të përballen me të kaluarën duke shtruar pyetje të tilla si: a duhet apo jo të hapim arkivat. Këto janë çështje që mund të zgjidhen vetëm nga shqiptarët.

Zëri i Amerikës: Ju do të shkoni në Shqipëri për festimet. Çfarë mesazhi do të dëshironit t’u përcillni shqiptarëve me këtë rast?
William Ryerson: Kënaquni. Është një rast shumë i lumtur. Është një rast për të reflektuar mbi historinë. Në rast se nuk doni që historia të përsëritet, mos e lini të përsëritet. Mendoni se si Shqipëria të jetë më mirë.
XS
SM
MD
LG