Lidhje

Al-Kaida sulmon Ministrinë e Brendshme në Bagdat


Në qytetin jugor të Irakut, Basra, sot ndodhën dy sulme me makinë bombë, ku u vranë të paktën 10 persona dhe u plagosën rreth 16 të tjerë.

Njëri sulm ndodhi tek një terminal autobuzi në periferi të Basrës. Shefi i komitetit të sigurisë, Ali al-Maliki, tha se 10 persona u vranë. Disa minuta më parë, një tjetër makinë bombë shpërtheu në një parking në qendër të Basrës, duke plagosur disa njerëz.

Askush nuk e mori përgjegjësinë për sulmet brenda dhe në periferi të qytetit-port, zakonisht të qetë, ku jetojnë kryesisht shiitë.

Ndërkohë, Al-Kaida në Iraq mori përgjegjësinë për një sulm të koordinuar ndaj Ministrisë së Drejtësisë në Bagdad, ku u vranë të paktën 25 persona. Grupi “Shteti Islamik i Irakut” publikoi një deklaratë në faqen e vet në internet, ku pranonte se kishte urdhëruar sulmin ndaj ministrisë, e cila ndodhet pranë Zonës së Gjelbrët, të fortifikuar rëndë të Bagdadit.

Atje ndodhen disa ndërtesa qeveritare dhe ambasadat e vendeve perëndimore. Sulmi ndodhi një javë para 10-vjetorit të ndërhyrjes ushtarake nën udhëheqjen e SHBA në Irak dhe një muaj para zgjedhjeve. Në Irak ka patur vazhdimisht luftime mes grupeve sektare. Shumë suni e akuzojnë kryeministrin shiit Nuri al-Maliki për diskriminimin e komunitetit të tyre. Për muaj me radhë, militantët suni kanë kryer një sërë sulmesh ndaj objektivave shiite.
XS
SM
MD
LG