Lidhje

Lojrat olimpike në Rusi thyejnë rekordin e shpenzimeve


Në vitin 2007, kur qyteti Soçi në Rusi, fitoi të drejtën për të mbajtur Lojrat Olimpike Dimerore 2014, njerëzit shtruan pyetjen nëse qyteti i vetëm subtropikal i Rusisë do të ndërtonte pista patinazhi. Ata po ashtu e vënë në pikëpyetje mundësinë që të krijoheshin pista për garat me ski.

Është kantieri më i madh i ndërtimit në Evropë me 100 mijë njerëz dhe 500 kompani që punojnë pa pushim.
Po ndërtojnë hotele, pista patinazhi, apo të garave me ski për Olimpiket Dimërore të vitit që vjen në brigjet ruse të Detit të Zi në Soçi.
Pasi presidenti Vladimir Putin deklaroi se punimet do të përfundonin brenda afatit në shkurt për lojrat, fishekzjarret përshëndetën raportin e presidentit.

Oleg Krachenko menaxhon Pallatin e Sportit Bolshoy për konkurimet në akull.
“Duam të tregojmë qe edhe këtu në jug të Rusisë, mund të mbahen Lojërat Olimpike.”

Me 51 miliardë dollarë shpenzime, Olimpiket në Soçi do të jenë më të kushtueshmet në historinë e lojërave.

Duke tejkaluar pesëfish buxhetin e gjashtë viteve më parë, evenimenti do të kushtojë gjashtë herë më shumë se Olimpiket Dimërore të fundit në Vankuver.
Vladimir Kimaev është veprimtar i mjedisit. Ai thotë se Kremlini po harxhon para për një projekt prestigji që do të zgjasë dy javë.

“A është normale që fondet shtetërore të shpenzohen në objekte që nuk do të nevojiten në të ardhmen? Lajmet e fundit tregojnë se pista e skive do të çmontohet.”

Kimaev dhe të tjerët thonë se një pjesë e mirë e 51 miliardë dollarëve është zhdukur si rezultat i korrupsionit. Ai hedh vështrimin mbi rrugën dhe linjën hekurudhore prej 48 kilometrash mes pistave të skive në Detin e Zi dhe arenat me dëborë në Malet Kaukaze.

“Projekti Mars kushtoi 2,5 miliardë dollarë për vajtjen në Mars. Rruga për në Kransnaya Polyana kushtoi nga 7,5 deri 10 miliardë dollarë. Është si të thuash një rrugë prej ari.”

Semyon Simonov, avokat për të drejtat e punëtorëve në Soçi, thotë se shumë kontraktorë kanë mashtruar punëtorët nga Azia Qendrore.

“Shpesh, kur punëdhënësit punësojnë të huaj, ata u marrin dokumentet me preteksin e lejeve të punës, por aktualisht ata nuk i nxjerrin ato. Kështu që njerëzit punësohen ilegalisht dhe mund të nxirren nga puna në çdo moment.”

Në një raport për Human Rights Watch, Simonov thekson dhjetëra raste të mashtrimit të punonjësve. Hussein Karimovich është punëtor ndërtimi nga Uzbeksitani.
“Dhjetë njerëz punojnë natën dhe 10 të tjerë gjatë ditës. U organizua kështu që pista garave me ski të përfundonte më shpejt.”

Ai thotë se kur mbaroi puna, kontraktori u zhduk duke mos paguar mbi 6 mijë dollarë paga punonjësve.

Kur ka mbetur më pak se një vit, Kremlini shpreson se buja dhe festimet të vazhdojnë deri në shkurt, kur Rusia organizon lojërat e para olimpike dimërore.



XS
SM
MD
LG