Lidhje

Përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve Gjeorgji-Abkhazi


Pas luftës së vitit 2008 mes Rusisë dhe Gjeorgjisë, Rusia njohu pavarësinë e Abkhazisë, e cila shpalli pavarësinë nga Gjeorgjia gjatë luftës së viteve 1992-1993. Në atë kohë Rusia dha ndihma ushtarake me vlerë gjysmë miliardë dollarësh për bazat ajrore, detare, dhe tokësore të Abkhazisë, e cila është pothuajse sa Kosova për nga territori. Korrespondenti i Zërit të Amerikës James Brooke i hedh një veshtrim gjendjes në Abkhazi.

Pesë vjet pasi Rusia e ka vendosur Abkhazinë nën ombrellën e saj ushtarake dhe diplomatike, ky rajon me klimë nëntropikale pranë brigjeve të Detit të Zi me qetësi ka filluar të ndërtojë besueshmërinë.

Njerëzit flasin rusisht, përdorin monedhën ruse, rublën, dhe janë të pajisur me pasaporta ruse.

Treni i vetëm i këtij rajoni shkon në veri, në qytetin rus Soçi dhe përfundon në Moskë.

Një shenjë e re e qëndrueshmërisë është edhe vizita e rreth dy milionë turistëve rusë në Abkhazi që pritet të ndodh këtë vit.

Izida Chania është redaktore e gazetës Nujnaya Gazeta.

“Gjatë verës, është shumë e vështirë të gjesh një dhomë hoteli”.

Por njerëzit këtu thonë se ata nuk po jetojnë në një koloni ruse, por në shtetin e pavarur të Abkhazisë.
Beslan Baratelia është profesor i ekonomisë në Universitetin Shtetëror të Abkhazisë.

“Njerëzit këtu nuk flasin rreth nivelit të lartë të pagave në Rusi ose ndonjë vend tjetër në krahasim me Abkazinë. Ata flasin për njerëzit që mbijetuan nga lufta dhe qëndruan derisa atdheu i tyre arriti pavarësinë, ata e vlerësojnë këtë”.

Shenjat e luftës janë kudo. Kjo reklamë e madhe nderon udhëheqësin e pavarësisë së Abkhazisë Vladislave Ardzinba, dhe këtë ndërtesë. Ajo është përdorur nga ushtarët e fundit gjeorgjianë gjatë luftës së suksesshme të Abkhazisë për pavarësi 20 vjet më parë.

Në Gjeorgji, gjërat po ndryshojnë shumë. Kryeministri i ri i vendit, Bizina Ivanishvili është duke u përpjekur të rivendosë marrëdhëniet me mbrojtësin e Abkhazisë, Rusinë.

Zoti Ivanishvili dëshiron të rihapë shërbimin hekurudhor mes Gjeorgjisë dhe Abkhazisë. Në një sinjal për republikën separatiste, udhëheqësi gjeorgjian anuloi parakalimet ushtarake dhe ndryshoi emrin e Ministrisë së Riintegrimit e cila tani quhet Ministria e Pajtimit.

Ministri i Jashtëm i Abkhazisë, Viacheslav Chirikba i shikon me kujdes këto sinjale.

“Me kënaqësi ne i shikojmë tani këto veprime nga një distancë e sigurt. Gjeorgjia nuk është më pjesë e jetës sonë politike, sepse është një vend i huaj”.

Por ai tha se Abkhazia planifikon të shtojë numrin e kalimeve kufitare me Gjeorgjinë nga një në pesë, deri në fund të vitit.

“Ne jemi të hapur dhe i përgjigjemi sinjaleve pozitive nga Gjeorgjia. Ne e mirëpresim çdo veprim paqësor për Abkhazinë. Ne nuk duam të jemi armiq të përjetshëm me gjeorgjianët”.

Tani që kërcënimi për një pushtim nga gjeorgjianët nuk është në tryezë, abkhazët duket se janë në kërkim të normalizimit gradual të marrëdhënieve me Gjeorgjinë.
XS
SM
MD
LG