Lidhje

15 të vrarë, 40 të plagosur në Kabul


Autoritetet afgane thonë se një vetëvrasës me bombë sulmoi një autokolonë ushtarake në kryeqytet, në njërin prej sulmeve më të rënda në disa muaj

Autoritetet afgane thonë se një vetëvrasës me bombë sulmoi një autokolonë ushtarake në Kabul, duke vrarë të paktën 15 persona dhe duke plagosur rreth 40 të tjerë, në njërin prej sulmeve më të rënda në disa muaj në kryeqytetin afgan.

Shpërthimi ndodhi sot në mëngjes, gjatë orëve me trafik të ngarkuar të mëngjesit.

NATO tha se sulmi kishte si objektiv një autokolonë me automjete ushtarake të huaja në Kabul. Zëdhënësi i NATO-s tha se mes të vrarëve ishin dy ushtarë amerikanë të Aleancës dhe katër kontraktorë civilë.

Zyrtarët afganë thanë se u vranë 9 civilë, mes tyre dy fëmijë.

Grupi kryengritës Hezb-e-Islami ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Kabul. Një zëdhënës i grupit tha se në objektivin e këtij sulmi ishin këshilltarë amerikanë. Hezb-e-Islami është një grup militant, që ka disa synime të përbashkëta me talebanët, si qëndrimin ndaj të huajve dhe kundër qeverisë afgane.

Në të kaluarën, ky grup ka luftuar me talebanët në rivalitet për të marrë kontrollin e Afganistanit.

Presidenti afgan Hamid Karzai e dënoi sulmin, duke thënë se ai ishte vepër e terroristëve dhe armiqve të paqes në Afganistan.

XS
SM
MD
LG