Lidhje

Sa e vështirë është të shkatërrohen armët kimike?


Shtetet e Bashkuara janë në pritje për të parë se çfarë roli do të kenë në shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Pentagon, Luis Ramirez, SHBA-ja e di nga përvoja se puna që duhet bërë është e vështirë dhe e kushtueshme.

Në vitin 1980, Shtetet e Bashkuara filluan shkatërrimin e arsenalit të vet të armëve kimike, i cili arrinte në më shumë se 28 mijë tonë. Procesi është i ndërlikuar dhe kërkon shkatërrimin e municioneve dhe djegien e kimikateve në mënyrë që të mos jenë më toksike.

Departamenti i Mbrojtjes thotë se 10 për qind e rezervave janë ende në pritje të djegies në dy objekte në shtetet amerikane të Kolorados dhe Kentakit. Ndërkohë që procesi është tani në dekadën e tij të tretë,

...pati skepticizëm kur Presidenti sirian Bashar al-Assad, i tha një rrjeti televiziv amerikan se vendi i tij mund të shkatërronte armët kimike që zotëron brenda një viti.
Tim Brown është analist i mbrojtjes i organizatës Global Security.
"Gjetja e një vendi ku të vendosen dhe shkatërrimi apo demilitarizimi i këtyre armëve, janë çështje për të cilat do të duhet kohë e gjatë."

Zyrtarë të Pentagonit thonë se ata janë të gatshëm për të ndihmuar në këtë proces.

"Roli im tani dhe roli aktual i ushtrisë amerikane është të ofrojë ndihmë në kuadër të planifikimit për Organizatën e Ndalimit të Armëve Kimike (OPCW) e cila ka rol udhëheqës, si dhe të mbajmë të besueshëm kërcënimin e forcës, nëse përpjekjet diplomatike dështojnë."

Zyrtarët e mbrojtjes thonë se ekzistojnë dallime serioze mes punës që ata kanë bërë në Shtetet e bashkuara dhe punës që do të nevojitej në Siri. Prandaj, është e vështirë të llogariten kostot apo kohëzgjatja e shkatërrimit të armëve kimike të atij vendi.

Rezervat kimike të SHBA-së janë të izoluara në depo ushtarake të shpërndara në disa objekte në territorin kontinental të Shteteve të Bashkuara dhe në Paqësor. Rezervat siriane janë në sasi të mëdha dhe ruhet në relativisht pak vende.

Pavarësisht vonesave dhe kostove të mëdha, Tim Brown thotë se SHBA-ja mund të kontribuojë me dekadat e përvojës që ka.
"Para së gjithash, ne kemi prodhuar këto armë qysh para Luftës së Dytë Botërore. Dhe kemi vepruar në një mënyrë relativisht të sigurt. Kemi më shumë se dhjetë vjet përvojë në projektim, ndërtim, testim dhe përdorim të objekteve për shkatërrimin e armëve kimike në mënyrë të sigurtë."

Zyrtarët amerikanë thonë se me luftën civile që vazhdon në Siri, heqja e armëve kimike do të jetë e vështirë, por ata thonë se kjo është diçka e mundur pasi ata besojnë se është qeveria e Assadit e cila kontrollon stoqet.

XS
SM
MD
LG