Më shumë se 130 veta gjetën vdekjen pasi një anije me imigrantë afrikanë mori zjarr dhe u përmbys në det të hapur pranë ishullit italian të Lampeduzës.
Zyrtarët thanë se në anije kishte gati 500 persona, shumica nga Eritrea ose Somalia. Ky është një ndër aksidentet më vdekjeprurës në Mesdhe.
Roja bregdetare filloi operacionet e shpëtimit në orët e para të mëngjesit. 150 vetë kanë arritur të shpëtojnë ndërsa vazhdojnë përpjekjet për të gjetur njerëzit e zhdukur.
Persona të mbijetuar thanë se në anije filloi të hyjë ujë kur motorat pushuan së punuari. Pas kësaj, emigrantët i vunë zjarrin një batanijeje për të tërhequr vemendjen e anijeve të tjera. Pasi filloi zjarri njerëzit nisën të lëvizin në anën tjetër të anijes duke shkaktuar përmbysjen e saj.
Kryetari i bashkisë së Lampeduzës tha se anija mori zjarr pasi njerëzit filluan të hedhin fishkzare për të tërhequr vëmendjen e anijeve të tjera.
Lampeduza, një ishull më pranë kontinentit afrikan se sa nga brigjet e Italisë, është shpesh destinacion i anijeve me imigrantë që kërkojnë të hyjnë në Bashkimin Evropian.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët tha se anija ishte nisur nga Libia.