Lidhje

Moskë, nis stafeta e Pishtarit Olimpik


Në Moskë filloi Stafeta e Pishtarit të Lojërave Olimpike Dimërore, që do të zhvillohen në Soçi të Rusisë. Mes masave të rrepta sigurisë, flaka olimpike nisi sot rrugën e saj pas ceremonisë së ndezjes së pishtarit nga kryetari i Bashkisë së Moskës.

Ceremonia e ndezjes së Pishtarit u zhvillua në qendër të Moskës, ku rrugët ishin sot të mbyllura për trafikun, për të lejuar më pas dhe kalimin e mbajtësve të flakës olimpike.
Kryetari i Bashkisë së Moskës, Sergej Sobyanin, ia dorëzoi Pishtarin 5- herë kampiones olimpike të notit Anastasiya Davydova, e cila më vonë ia kaloi atë Svetlana Khorkina-s, kampione olimpike e gjimnastikës artistike.
I pranishëm gjatë stafetës ishte edhe Princi i Monakos Albert II.

“Është hera e tetë që marr pjesë në stafetën e pishtarëve olimpikë, si për lojëra dimërore edhe verore. Është një ditë e madhe për Moskën, për Rusinë dhe për Lojërat e Soçit. Jemi mjaft të emocionuar.”

Stafeta do të kalojë në shumë qytete ku do të shpalosen disa prej pasurive historike, kulturore dhe etnike të Rusisë.
Kampionia olimpike e patinazhit artistik Irina Rodnina, tha se, pavarësisht pjesëmarrjes së saj disa herë në Lojëra Olimpike si sportiste e më pas si trainere, prania në ceremoni e lumturon shumë.

“Sot të gjithë marrim pjesë në një lloj aktiviteti magjik, nisja e stafetës së Pishtarit. Sa herë që zhvillohet ceremonia e ndezjes së Pishtarit Olimpik apo kur flaka olimpike ndizet në stadium të përfshijnë emocione të mahnitshme.”

Gjatë trajektores që do të përshkojë stafeta, përveç qyteteve që do të pasqyrojnë pasuritë kulturore të vendit, disa të tjera do t’i kujtojnë botës të këqijat e stalinizmit, trajtimin e ashpër të disidencës në Rusinë e presidentit Vladimir Putin apo ekstremizmin islamik që ka përfshirë zonat e Kaukazit jo shumë larg nga shpatet malore ku do të zhvillohen garat e skive në Soçi.

Gjatë 65 mijë kilometrave rrugë, flaka olimpike do të udhëtojnë me tren, aeroplan, makinë, madje dhe me karrocë me drerë, e mbështjellë brenda një fanari.
Pas daljes nga Moska, stafeta do të realizojë një rreth të gjerë përqark Moskës në disa prej qyteteve më historike të Rusisë para se të niset në veri drejt Shën Peterburgut. Më pas Pishtari Olimpik do të shkojë prej Kaliningradit në ngushticën e Beringut pranë Alaskës dhe do të kthehet sërish në pjesën e brendshme të vendit deri në Soçi, për ceremoninë e hapjes më 7 shkurt.
XS
SM
MD
LG