Lidhje

Kryeministri pakistanez, takim me presidentin Obama


Kryeministri pakistanez Nawaz Sharif do të takohet me presidentin Barack Obama në Uashington javën e ardhshme, takimi i tij i parë me udhëheqësin amerikan që nga marrja e detyrës në qershor. Nuk pritet ndonjë përparim rreth problemeve si sulmet amerikane me mjetet ajrore pa pilot dhe lidhjet e ushtrisë pakistaneze me kryengritësist afganë.

Pavarësisht mosbesimit dhe dyshimit të ndërsjelltë, takimi i ardhshëm i kryeministrit Sharif me presidentin Obama shihet si i domosdoshëm për marrëdhëniet dypalëshe. Pakistani ka shumë nevojë për ndihmë të huaj për të kapërcyer problemet e veta ekonomike dhe krizën e thelluar energjitike.

Shtetet e Bashkuara do të mbështeten kryesisht nga Islamabadi për një tërheqje të rregullt të shumicës së trupave amerikane nga Afganistani fqinj vitin e ardhshëm. Për më tepër, Uashingtoni dëshiron që Pakistani të përdorë ndikimin e tij me talebanët afganë për t’i dhënë fund dhunës dhe të bashkohet në procesin e pajtimit politik.

Marrëdhëniet dypalëshe u keqësuan shumë në vitet 2011 dhe 2012 pas sulmit ushtarak amerikan që vrau Osama bin Ladenin brenda Pakistanit dhe pasi një sulm ajror i NATO-s vrau gabimisht rreth dy duzina forca pakistaneze të kufirit.
Megjithatë, ministri i Pakistanit për privatizim dhe tregti, Khurram Dastgir Khan, i tha Zërit të Amerikës se qeveria e sapozgjedhur është serioze në lidhje me vënien e lidhjeve Pakistan -SHBA “në një pozitë më të fortë dhe më pak të personalizuar .”

“Ne duhet të lëvizim përtej asaj që unë mendoj ka qenë tradicionalisht një mënyrë transaksionare e marrëdhënies Amerikë – Pakistan, dhe të shkojmë drejt një marrëdhënieje më afatgjatë civile për shkak se ajo që kemi parë deri tani ka qenë kryesisht një marrëdhënie ushtarake midis dy vendeve.”

Zoti Khan thotë se Pakistani ka kërkuar për më shumë tregti me Shtetet e Bashkuara dhe jo ndihmë financiare. Ai thotë se kryeministri Sharif do ta nënvizojë këtë çështje kur ai të takohet me presidentin Obama. Por ministri ishte i kujdesshëm në lidhje me rezultatet e bisedimeve në përgjithësi.

Ka dy çështje të diskutueshme që kanë penguar Pakistanin dhe Shtetet e Bashkuara nga rithemelimi i marrëdhënieve të gjithanshme. Çështja e parë është rreth sulmeve të mjeteve ajrore amerikane pa pilot kundër objektivave në tokën pakistaneze.

Çështja tjetër është se zonat e kontrolluara nga militantët e al-Kaidës në Veziristan, në veri të Pakistanit, po përdoren për të organizuar sulme kryengritëse kundër forcave ndërkombëtare të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara në Afganistan.
Zyrtarët pakistanezë thonë se kryeministri Sharif do të bisedojë rreth çështjes së mjeteve ajrore pa pilot në takimin me presidentin Obama.

Ministri Khan këmbënguli se për Shtetet e Bashkuara, mjetet ajrore pa pilot janë thjesht një nga mjetet e ndryshme në luftën kundër terrorizmit, por po nxit militantizmin në vendin e tij.

“Kostot e programit të mjeteve ajrore amerikane pa pilot janë shumë më të larta se sa përfitimet, qoftë në aspektin e goditjes se ekstremistëve për të cilat pretendojnë Shtetet e Bashkuara, por numri i ekstremistëve të profilit të lartë që mund të pretendohet si një sukses i programit të mjeteve ajrore pa pilot është me të vërtetë shumë i vogël në krahasim me numrin e civilëve të vrarë, të cilët Shtetet e Bashkuara mund ta quajnë dëm kolateral, por secili prej tyre është një shtetas pakistanez, ka qenë shumë i madh.”

Pakistani këmbëngul se vendi vazhdon të paguajë një çmim të lartë financiar dhe njerëzor për të mbështetur luftën e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Afganistanin fqinj. Politika, thonë zyrtarët, ka revoltuar ekstremistët fetarë pro-talebanit në vend, të cilët kanë nisur një kryengritje vdekjeprurëse atje, duke vrarë më shumë se 40,000 pakistanezë, përfshirë edhe forcat e sigurisë.
XS
SM
MD
LG