Lidhje

Histori: Çfarë ka ndodhur më 20 tetor?


Patent of Toleration
Patent of Toleration
1781 - Monarkia austriake e Habsburgëve miraton të ashtuquajturën “Patenta e Tolerancës” e cila zgjeroi, por jo shumë, liritë fetare të të krishterëve jo-katolikë që jetonin në territorin e perandorisë, duke përfshirë luteranët, kalvinistët, dhe ortodoksët grekë. Sipas “Patentës së Tolerancës”, besimtarët tani lejoheshin ligjërisht për të ushtruar privatisht fenë e tyre, por në kisha klandestine.

1803 – Senati i Shteteve të Bashkuara ratifikon Blerjen e Luizianës, duke i paguar Francës rreth 234 milionë dollarë (me vlerën sotme të dollarit). Franca e kishte kontrolluar këtë zonë të gjërë nga viti 1699 deri më 1762, kur ia dha Spanjës, aleate e saj. Më 1800, nën Napoleon Bonapartin, Franca e mori përsëri territorin me shpresë për të krijuar një perandori në Amerikën e Veriut. Por revoltat në Haiti dhe një luftë e pashmangshme me Britaninë e detyruan Francën t’i braktisë këto plane dhe t’ia shesë të gjithë territorin Shteteve të Bashkuara, edhe pse qeveria amerikane kishte menduar fillimisht vetëm për të kërkuar blerjen e Nju Orleansin dhe tokave rreth tij.

1818 – Britania dhe Shtetet e Bashkuara nënshkruajnë konventën që përcaktoi vijën kufitare midis Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara. Dy vendet ranë gjithashtu dakord për zotërim të përbashkët të territorit të Oregonit për 10 vjet; dhe pastaj e vazhduan këtë zotërim edhe 10 vjet të tjera deri më 1838. Pas kësaj, çështja se kush e zotëronte Oregonin u bë gjithnjë e më e diskutueshme, sidomos kur filloi migrimi masiv amerikan në vitet 1840. Disa politikanë amerikanë filluan të kërkonin konfiskimin e Oregonit, dhe në vitin 1844, demokrati James K. Polk kandidoi me sukses për president me platformën "Oregonin ose luftë". Por as presidenti Polk dhe as qeveria britanike nuk donin një luftë të tretë anglo-amerikane, dhe më 15 qershor 1846 i dhanë fund këtij problemi me kompromisin, që njihet në histori si Traktati i Oregonit.

1900 - "Vdiq Naimi, po ç'të gjeti,
O moj Shqipëri e mjerë!
Vdiq Naimi, po kush mbeti?
Si Naimi s'ka të tjerë."

Me këto vargje, Çajupi qau kur mësoi se vdiq Naim Frashëri; gjithkush sikur humbi një pjesë nga vetja; dhe Poeti qante për gjithë. Pa Naimin si poet pak mund të thuhet se ndjenja e zgjimit kombëtar do të kishte arritur deri tek shqiptari më i thjeshtë - nga fshatari i robtuar deri tek "nizami" që luftonte pa ditur pse në dhera të huaj ndërsa vend për vete s'kishte. Por nuk ishte vetëm Naimi; ai ishte 1/3, sepse Vëllezërit Frashëri i ngjajnë trinisë, pa njërën prej të cilave njeriu a kombi nuk mund të qëndrojë në këmbë e as të jetojë - Abdyli luftëtar (Trupi); Samiu dijetar (Mendja); Naimi poet (Shpirti); së bashku ndihmuan a sollën rilindjen; u dhanë shqiptarëve kyçin për të rigjetur veten duke përdorur forcën, mendjen dhe ndjenjën – së bashku a në harmoni.
Naim Frashëri
(nga Çajupi)

"Vdiq Naimi, vdiq Naimi,
moj e mjera Shqipëri!
Mendjelarti, zemërtrimi,
vjershëtori si ai!

Vdiq Naimi, po vajtoni
shqipëtarka, shqipëtarë!
Naimnë kur ta kujtoni,
mos pushoni duke qarë!
...........
Vdiq Naimi, që këndoi
trimërinë, Skënderbenë,
vdiq Naimi, që lëvdoi
dhe nderoi memëdhenë!

Vdiq Naimi, po ç'të gjeti,
o moj Shqipëri e mjerë!
Vdiq Naimi, po kush mbeti?
Si Naimi s'ka të tjerë...."

Naim Frashëri lindi në vitin 1846 në Frashër të Përmetit. Në vendlindje ai mori edhe mësimet e para. Më 1865 familja u shpërngul në Janinë, ku bashkë me vëllanë më të vogël Samiun, mbaroi gjimnazin grek "Zosimea". Më vonë punoi pak muaj në Stamboll, si nëpunës në zyrën e shtypit, por iu shfaq tuberkulozi dhe u kthye në vendlindje për klimë më të mirë. Në fillim ishte nëpunës në Berat e më pas doganier në Sarandë (1872-1877). Në këtë periudhë Naim Frashëri shkroi edhe pozitë e para në shqip. Nën ndikimin e ngjarjeve historike, sidomos të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit - njëri nga udhëheqësit e së cilës ishte Abdyli, vëllai i tij më i madh, dhe nën ndikim e veprimtarisë kulturore patriotike të Shoqërisë së Stambollit, në krye të së cilës ishte Samiu - Naim Frashëri iu kushtua tërësisht letërsisë shqipe. Në Stamboll, Naimi ishte ndër botuesit kryesorë të revistës "Drita", më pas "Dituria" (1885), ku ai botoi edhe shumë prozë e vjersha të tij, prej të cilave:

Pellazgët-shqiptarët
(Naim Frasheri)

Ishte një ditë/Që pellasgjitë/Posi një dritë/Mbuluan dhenë/Duall ng' Asia/Si mizëria/Dhe me ania/E hodhë denë.

Pas pakë herë,/Duke përzjerë /Ca me të tjerë,/Bënë elinët, /Dhe duke ndarë /Syresh një farë,/Si ka të ngjarë,/Bëri llatinët.

Edhe të tjerët/E më të ndjerët,/Të papërzjerët,/Pellasgjinj mbenë/Maqedhoninjtë/E ilirinjtë/E mollosinjtë,/Gjith' ata qenë.

Dhe ata janë/Prindërtë tanë,/Pastaj na thanë/Na shqipëtarë/Mundim të themi/Ne ata jemi,/Atë gjak kemi,/Si dhe shtyparë.

Thot' Herodoti,/Në Tomor zoti/Shtëpi qëmoti/Kishte Dhodhonë/Eshtë m'e vjetër/Ngaha çdo tjetër,/Shumë më tepër,/Kjo gjuha jonë.

Ne kurdoherë/Burra të ndjerë/Edhe të vlerë/Jemi treguar;/Me grekërinë/Dhe me Persinë,/Me gjith' Asinë/Kemi lëftuar.

Me Lekën vamë,/Muntmë Daranë,/Datën i dhamë/Gjithë Asisë /Burr' u dëftyem,/Të gjith' i thyem,/Përmbys e kthyem/Fron' e Persisë.

Të tërë dhenë,/Den' e sterenë,/Sa kombe qenë/Në këmb i vumë/Dhe mbretëruam/Kudo që shkuam,/Tekdo lëftuam,/Vëndin e zumë.

Me Pirron vamë/Romës i ramë,/Llatint' i vramë/E i tmeruam;/Me Skënderbenë/Tyrqve sa qenë/U dhamë dhenë/Dhe i dëbuam.

Kush i goditi/Posi petriti/E i cfiliti/Tyrqit, barbarët?/Bota s'kuxonte/Që t'u qëndronte,/Po kush lëftonte?/Ne shqipëtarët.

Pastaj u ndruam,/Se s'kupëtuam/Dhe nuk e çquam/Të mirën tënë/Gjaknë për botë/E derthmë kotë,/Njeri ç'të thotë?/Nuk ishte thënë!

Mbajtmë Tyrqinë,/Ngjallmë Greqinë,/Ndihm' Italinë./Po Shqipërinë?/Pse s'u munduam?/Për kë lëftuam?/Neve ç'fituam?/Ç'kemi taninë?



1947 - Komisioni mbi aktivitetin anti-amerikan fillon hetimin rreth infiltrimit komunist në Hollivud, duke rezultuar në një listë të zezë që pengoi disa aktorë, regjisorë e skenaristë të njohur për të punuar në industrinë e filmit për vite me rradhë.

1968 - Ish-zonja e parë Jacqueline Kennedy martohet me manjatin grek të anijeve Aristotle Onassis.

2011 - Lufta civile në Libi: Forcat rebele të Këshillit Kombëtar Kalimtar kapin diktatorin e rrëzuar libian Muammar Gaddafi në qytetin Sirte dhe e vrasin menjëherë.

Mendim i ditës
"Gjithçka që kam mësuar për jetën mund të përmblidhet në dy fjale: Ajo vazhdon".
Robert Frost
XS
SM
MD
LG