Lidhje

Reagime ndaj programit amerikan të përgjimit


Franca dhe Meksika reaguan me zemërim duke kërkuar shpjegime nga Shtetet e Bashkuara pas të dhënave të reja të nxjerra nga ish kontraktori amerikan i zbulimit, Edward Snowden. Ministri i jashtëm francez, tha sot se i kishte telefonuar ambasadorit amerikan për të dhënë shpjegime rreth një artikulli në gazetën Le Monde, ku flitet për përgjime në shkallë të gjerë ndaj shtetasve francezë nga Agjencia amerikane e Sigurimit Kombëtar.

Ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, i quajti përgjimet që thuhet se janë bërë agjencia amerikane e zbulimit "krejtësisht të papranueshme" dhe kërkoi shpjegime nga autoritetet amerikane. Ambasadori amerikan në Paris, Charles Rivkin, shkoi sot në ministrinë e jashtme franceze për t'u takuar me zyrtarët.

Gazeta Le Monde publikoi sot hollësi nga dokementet e nxjerra nga ish analisti amerikan i zbulimit Edward Snowden, të cilat sipas gazetës tregojnë se Agjencia amerikane e Sigurimit Kombëtar ka përgjuar telefonatat e më shumë se 70 milion shtetasve francezë gjatë një periudhe 30-ditëshe.

Laurent Fabius, ministër i Jashtëm i Francës
"Kjo praktikë mes partnerësh që shkel privatësinë është krejtësisht e papranueshme dhe ne duhet të sigurohemi pa vonesë se nuk do të ndodhë më," tha zoti Fabius gjatë një takimi në Luksemburg me homologët e tij evropianë.

Bashkautor i artikullit të publikuar në Le Monde është Glenn Greenwald, i cili ishte i pari që nxorri në media programin amerikan të përgjimit. Në artikull thuhet se kur telefonatat bëheshin nga disa numra të caktuar, ato regjistroheshin automatikisht.

Akuzat vijnë ndërkohë që Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ndodhet në Paris për bisedime me përfaqësues të Lidhjes Arabe.

Programe të ngjashme zbulimi janë bërë të ditura në Britani dhe në Gjermani.
Edhe Meksika reagoi me zemërim lidhur me një artikull të botuar në revistën gjermane Der Spiegel, në të cilin Snowden akuzon Agjencinë e Sigurimit Kombëtar se ka hyrë në e-mailin e ish-Presidentit meksikan Felipe Calderon.
Ministria e Jashtme e Meksikës e quajti këtë praktikë "të papranueshme, të paligjshme dhe në kundërshtim me ligjin meksikan dhe atë ndërkombëtar."
XS
SM
MD
LG