Lidhje

Sistemi mbrojtës me raketa në Rumani


Rumania dhe Shtetet e Bashkuara inauguruan një bazë ushtarake ku do të administrohet një pjesë e sistemit mbrojtës me raketa të NATO-s për mbrojtjen e Evropës nga sulmet. Rusia ka kundërshtuar fuqishëm praninë e një sistemi raketash amerikane në afërsi të kufijve të saj. Një analist rus i tha Zërit të Amerikës se nuk ka dyshim që Moska do të kundërpërgjigjet.

Objekti tokësor i sistemit për mbrojtjen nga raketat është e vendosur në një ish-bazë ajrore pranë fshatit Deveselu, 180 kilometra në lindje të kryeqytetit të Rumanisë, Bukuresht. Nënsekretari amerikan i Mbrojtjes për Politikat James Miller mori pjesë dje në ceremoninë e përurimit.

"Kur këtu të përfundojë faza e dytë brenda vitit 2015, Evropa do të jetë më e sigurt, forcat amerikane do të jetë më të mbrojtura, Rumania do të jetë më e sigurt dhe aleanca e NATO-s do të jetë më e fortë."

Ceremoninë e ndoqi gjithashtu Presidenti rumun Traian Bashesku.

"Rumania hyn në grupin e vendeve anëtare të NATO-s që do të sigurojnë një nga zgjidhjet më të përsosura për të mbrojtur qytetarët evropiane dhe amerikanë kundër kërcënimit real që përbën një sulm me raketa balistike."

Planet e SHBA-së për mbrojtjen e Evropës parashikojnë baza në Republikën Çeke dhe Poloni, me radarë të mbrojtjes nga raketat të dislokuara në Turqi. Zyrtarë të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s kanë thënë se sistemi ka për qëllim vetëm mbrojtjen e Evropës nga sulme të mundshme nga Irani apo Koreja e Veriut.
Presidenti rus Vladimir Putin ka kundërshtuar fuqishëm planin gjatë këtyre viteve, duke thënë se ai minon aftësitë parandaluese të Rusisë.

"Ne mendojmë se nuk ka asnjë arsye për vendosjen e një sistemi anti-raketë në Evropë. Dhe ekspertët tanë ushtarakë besojnë se ky sistem do të mbulojë territorin e Federatës Ruse deri në Urale."

Planet e mbrojtjes të NATO-s janë ndryshuar disa herë për të qetësuar shqetësimet e Rusisë, por Shtetet e Bashkuara kanë hedhur poshtë kërkesat e Moskës për garanci ligjore se sistemet mbrojtëse të SHBA-së në Evropë nuk do të kenë nën shënjestër objekte bërthamore të Rusisë.

Analisti rus Peter Eltsov i tha Zërit të Amerikës se shumica e njerëzve në Rusi mendojnë se sistemi i raketave amerikane ka ekskluzivisht si qëllim shënjestrimin e vendit të tyre.

"Mendoj se shumica e rusëve sot janë të bindur se ky sistem nuk është kundër Iranit apo Koresë së Veriut, për shkak se ndodhet në kufirin rus. Pra, shumë njerëz në Rusi do ta mbështesnin një lloj përgjigjeje nga ana e Presidentit Putin dhe qeverisë së tij."

Zyrtarët e Moskës kanë thënë se ata do të përgjigjen shumë "ashpër" ndaj çdo dislokimi ushtarak amerikan pranë kufijve apo brigjeve të Rusisë. Zoti Eltsov thotë se polemikan verbale kanë të ngjarë të pasohen nga veprime politike dhe ushtarake.

"Ata mund të përpiqen të shtojnë praninë ushtarake në Kaliningrad, që është më afër Evropës. Gjithashtu mund të përpiqen të bëjnë diçka me vendet amerikano-jugore të cilat nuk kanë marrëdhënie miqësore me qeverinë amerikane, si për shembull disa bashkëpunime ushtarake. Dhe sigurisht ajo mund të ketë efekte tek politika ruse në Siri – pra më shumë mbështetje për Presidentin sirian Bashar al-Assad, por dhe për çdo regjim anti-amerikan në botë."
Zhvillimi i sistemit mbrojtës antibalistik i SHBA-së dhe NATO-s planifikohet me katër faza, me fazën e fundit që pritet të përfundojë brenda vitit 2020.
XS
SM
MD
LG