Lidhje

Trajtimi i Romëve në Evropë


Një vajzë e vogël bjonde në Greqi është në qendër të një debati në mbarë Evropën mbi trajtimin e romëve, të njohur shpesh si “ciganë”. Vajza, e quajtur Maria, është marrë nga një çift rom që përkujdesej për të, nga dyshimet se ajo ishte rrëmbyer . Megjithatë, duket se autoritetet kanë gabuar. Por, akuza për shkelje të të drejtave të njeriut kundër popullsisë rome ka patur në të gjithë Evropën.

Policia greke e gjeti Marian, e cila mendohet se është 5 ose 6 vjeç, gjatë një bastisjeje në një kamp romësh dy javë më parë. Testet e ADN-së treguan se çifti që kujdesej për të nuk ishin prindërit e saj.

Eleftheria Dimopoulou dhe Christos Sali u akuzuan për rrëmbin fëmije. Por ata këmbëngulin se Maria u ishte dhënë atyre.

Mamaja e vërtetë e Marias u gjet në Bullgari, dhe ajo konfirmon se ia kishte dhënë vajzën në vitin 2009 sepse nuk mund të kujdesej për të. Policia po heton nëse ajo e ka shitur fëmijën për para. Avokatja e çiftit rom i kundërshtoi aktet e autoriteteve.

“Kushdo që është përfshirë në këtë çështje shumë serioze duhet të mendojë rreth faktit se Maria u rrit me këta njerëz, dhe ekziston vetëm një marrëdhënie dashurie mes tyre.”

Ka patur spekulime në mediat evropiane që Maria mund të ketë qenë rrëmbyer. Riccardo Noury i Amnesty International në Itali flet kundër mbulimit të shtypit:

“Kjo është një mënyrë e zakonshme e të përshkruarit komunitetet romë në të gjithë Evropën, sidomos në Itali dhe Greqi, si njerëz që vjedhin foshnjet, njerëz të cilët nuk dëshirojnë të edukojnë fëmijët e tyre.”

Komuniteti rom në Farsala, ku u gjet Maria, thotë se ndjehet në shënjestër nga shumë pjesë të shoqërisë. Charalambos Dimitriou është udhëheqësi i komunitetit:

“I gjithë komuniteti, e gjithë Farsala, ka qarë për Marian, sepse ajo ishte gjithmonë këtu rreth nesh. Ajo nuk ishte mbyllur në ndonjë bodrum, siç thonin disa nga mediat.”

Në ditët pas këtij rasti në Greqi, autoritetet në Irlandë gabimisht morën dy vajza nga komuniteti rom atje, lidhur me shqetësimet që ato mund të ishin rrëmbyer.

Në Francë në fillim të këtij muaji, 15 vjeçarja Leonarda Dibrani u nxorr jashtë një autobusi shkolle nga policia përpara nxënësve të tjerë, për t’u deportuar në Kosovë.
Ky akt shkaktoi protesta të dhunshme. Autoritetet franceze këmbëngulin se familja Dibrani kishte mashtruar gjatë procesit të azilit.

Grupet mbështetëse të romëve akuzojnë qeveritë evropiane se janë përpjekur të plotësojnë dëshirat e të djathëve ekstremë. Përsëri, Riccardo Noury nga Amnesty International në Itali

“Ata janë viktima të sulmeve të dhunshme nga grupe të ndryshme. Ata janë viktima të shkeljeve të të drejtave të njeriut me ligj. Në Francë apo në Itali ose në pjesë të tjera të Evropës, ata vuajnë nga dëbimet me forcë bazuar në supozimin se ata janë nomadë.”

Ndërkohë, në Greqi, avokatja për çiftin rom ka kërkuar lirimin e tyre, dhe që Maria t’i rikthehet atyre gjithashtu. Autoritetet greke këmbëngulin se ata kanë vepruar gjithmonë për të mirën e Marias.
XS
SM
MD
LG