Lidhje

Rigjallërimi i Detroitit


I konsideruar për një kohë të gjatë si shembulli tipik i rënies së qyteteve amerikanë, Detroiti tani po tregon shenja rigjallërimi në lagjet e brendshme të qytetit, nxitur nga kompani si Shinola, e cila ka hapur dyert për prodhimin e orëve të dorës dhe biçikletave.

Harrojini rreshtat e gjatë të prodhimit të makinave ... kjo është fytyra e re e prodhimit të Detroitit. Të paktën kjo është shpresa e Shinola-s, një kompani e cila kohët e fundit ka filluar të prodhojë sende luksoze duke përfshirë mallra prej lëkure, biçikleta dhe orë dore, në zemër të qytetit.

Me elementët e importuar nga Zvicra, rreth 120 punëtorë lokalë montojnë pjesët përbërëse këtu, duke lejuar emrin e qytetit të shfaqet me krenari në çdo orë.
Si shumë nga kompanitë e reja në këtë inkubator biznesi, shefi ekzekutiv i kësaj kompanie nuk i përfill shqetësimet rreth deklaratës së fundit të falimentimit të qytetit:

“Shikoni, është e qartë që mund të lexosh çdo ditë rreth sfidave me të cilat përballemi. Kjo është përtej fushëveprimit tonë dhe ne nuk merremi çdo ditë apo çdo javë me këtë. Në të vërtetë ne nuk jemi prekur nga ajo.”

Shinola u tërheq drejt Detroitit pjesërisht për shkak të historisë së gjatë të industrisë së prodhimit të qytetit dhe, analistët vërejnë se, për shkak të “historisë së rikthimit,” e cila mund të jetë e mirë për reputacionin e firmave.

Por bizneset janë tërhequr kryesisht nga përmirësimi i sigurisë të mundësuar nga bashkëpunimi mes institucioneve kryesore të qytetit. Këto përfshijnë një universitet, dy spitale të rëndësishëm, dhe disa muzeume:

“Kjo është një nga lagjet më të sigurta të një qyteti të madh në Amerikën e Veriut. Përdorimi i teknologjisë së fundit nga policia, jo vetëm këtu në universitet por që përfshin zonën deri në rrugën Woodward, dhe më tej nëpër lagjet e ndryshme ka rritur nivelin e sigurisë. Një gjë ka ndryshuar rrënjësisht dhe ka ndryshuar edhe mendjen e njerëzve, dhe ajo është përmirësimi i sigurisë publike.”

Bashkë me qiratë e ulëta, kjo ka tërhequr profesionistë të rinj dhe krijues dhe do të thotë se, në lagjen Midtown paktën, tani ka një mungesë banesash. E njëjta histori është edhe në qendër, me qiratë e zyrave që kanë rënë në nivelin më të ulët në katër vjet. Kompani të mëdha si Quicken Loans kanë udhëhequr rigjallërimin.

Nëse qyteti do ta marrë veten nga falimentimi, ai do të ketë nevojë për kompani të vogla dhe të mëdha. Guvernatori i shtetit të Miçiganit Rick Snyder, ka thënë se një nga arsyet kryesore të falimentimit të qytetit është shkalla e papunësisë, e cila arriti shifrën më të lartë në 24,9% në vitin 2007, por tani ka rënë në 16,3%.

Janë kompanitë si Shinola që kanë vendosur ta bëjnë qytetin e Detroitit shtëpinë e tyre, që kanë ndikuar në këtë përmirësim. Por ndikimi më i madh i tyre është ndryshimi i imazhit të qytetit, nga një qytet në rrënoja, në një qytet të ripërtëruar.

“Ndërsa ndikimi individual i Shinolës ose i një apo dy kompanive të tjera të vogla është i pakët, imazhi që portretizojnë në botë është shumë ndryshe, është një imazh kontrasti, dhe kjo është shumë e rëndësishme në mënyrën se si mund të ndryshojnë qytetet.”

Pavarësisht përmirësimeve të mëdha në qendër, shumica e qytetit ende duket si këtu. Tani Detroitin e quajnë shtëpinë e tyre 700,000 banorë, por ai është ndërtuar për më shumë se dyfishin e atij numri.

Ndërsa qendra fillon ta marrë veten, një nga sfidat më të mëdha të qytetit do të jetë se si të merret me periferitë shkatërruara dhe të boshatisura. Por, motoja e këtij qyteti këmbëngulës, “ne shpresojmë për më mirë, ai do të lindë nga hiri” (speramus meliora; resurget cineribus), e shkruar për të që në vitin 1805, pas një zjarri që gati dogji gjithë qytetin, sygjeron se ai i njeh mirë sfidat, por nuk i lejon që ta mposhtin.
XS
SM
MD
LG